Transmetuar më 28-06-2015, 19:23

Athinë, 28 qershor 2015, NOA.al- Qeveria greke ka vendosur sot që të mbyllë të gjitha bankat në Greqi.

Në vendimin e qeverisë helene thuhet se bankat do të qëndrojnë mbyllur gjatë gjithë javës së ardhshme. Vendimi është marrë pak më parë, raporton Protothema.

Më herët mistrat e financave të Eurozonës kanë anuluar mbështetjen financiare ndaj Greqisë, pas shpalljes së vendimit të kryeministrit Aleksis Tsipras për të shkuar në referendum.

Ministrat shprehin keqardhjen nga fakti se qeveria greke ndërpret në mënyrë të njëanshme negociatat dhe refuzon propozimin që i paraqitën institucionet.

Në deklaratën e Eurogrupit thuhet se, “Nga marrëveshja e 20 shkurtit e Eurogrupit për zgjatjen e programit grek, negociata intensive u zhvilluan midis institucioneve dhe autoriteteve greke për të konkluduar me sukses inspektimin. Nisur nga ngërçi i tejzgjatur në negociata dhe sisuatën emergjente, institucionet paraqitën një propozim të kompletuar që kishte kushte, por duke përdorur edhe elasticitetin. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet në të gjitha nivelet dhe mbështgetjen e plotë të Eurogrupit, ky propozim u refuzua nga autoritetet greke, duke ndërprerë në mënyrë të njëanshme negociatat më 26 qershor.

Eurogrupi anulon mbështetjen financiare të Greqisë të viteve të fundit. Eurogrupi ishte i hapur deri në momentin e fundit për të mbështetur më tej popullin grek me një program në vazhdimësi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik.

Eurogrupi merr në konsideratë vendimin e qeverisë greke për ta shtruar propozimin në referendum më 5 korrik, domethënë pas përfundimit të programit aktual. Ndihma financiare aktuale për Greqinë do të përfundojë më 30 qershor 2015. Autoritetet e Eurozonës janë të gatshme të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar stabilitetin financiar të Eurozonës”.

Kreu i Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, doli para gazetarëve pasditen e të shtunës, për të thënë se takimi do të vazhdojë pa praninë e ministrit grek të financave.

Dijsselbloem tha gjithashtu se gjithë ministrat i dhanë përgjigje negative kërkesës së Athinës, që të jepet një shtyrje afati për programin aktual grek, me qëllim që vendi të ketë mundësinë e financimit ndërkombëtar.

Dijsselbloem shtoi se ministrat e financave do të diskutojnë mënyrat për të parandaluar shtrirjen e krizës greke. “Jemi të vendosur të punojmë për të forcuar dhe garantuar kredibilitetin e eurozonës”, tha Dijsselbloem.

“Procesi i negociatave me Greqinë nuk përfundoi kurrë, u ndërpre me përgjegjësinë e Greqisë”, tha shefi i eurozonës.

Ai shtoi se ishte befasuar negativisht nga lëvizja e qeverisë greke për të shpallur referendum dhe shtoi se tashmë i përket parlamentit grek që të vendosë.

Nga ana e tij Ministri grek i Financave, Janis Varufakis deklaroi se kreditorët nuk i ofruan Athinës një marrëveshje që do të kishte jetë, duke nënvizuar se ajo paketë nuk do të kalonte në parlamentin grek.

Referendumi më 5 korrik

Me 178 vota pro të radikalëve të majtë, përfshi edhe “Grekët e Pavarur”, si dhe të Agimit të Artë dhe 120 vota kundër, Parlamenti grek ka miratuar kërkesën e Qeverisë “Tsipras” për të zhvilluar referendum më 5 korrik.

Brenda një jave, grekët duhet të informohen dhe të vendosin nëse pranojnë apo jo propozimin e huadhënësve të Athinës.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka kërkuar nga qytetarët të përgjigjen me një “Jo” , ndaj nënshtrimit që sipas tij kërkojnë kreditorët e Greqisë me reformat e tyre të ashpra./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd