Transmetuar më 28-06-2015, 15:20

Tiranë, 28 qershor 2015, NOA.al- Bashkia e Tiranës nisi zbatimin e projektit pilot për përmirësimin e ndriçimit rrugor në trajektoren sheshi “Shqiponja”- Rruga e Durrësit – sheshi “Skënderbej”- bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – sheshi “Nënë Tereza”.

Projekti pilot i cili përfundon javën e ardhshme parashikon zëvendësimin e 780 ndriçuesve ekzistues me ndriçues xenon dhe të gjitha pajisjet përkatëse.

Zbatimi i këtij projekti për vendosjen e 780 ndriçuesve përmirëson me 50%  fluksin e ndriçimit rrugor dhe redukton me 60% koston e përdorimit të energjisë elektrike, krahasuar me ndriçimin ekzistues.

Jetëgjatësia e ndriçuesve të rinj është 40 mijë orë pune ose dy herë më e lartë se e ndriçuesve aktualë.

Bëhet e ditur se këta ndriçues kanë 90% të spektrit të dritës, nga 38% që është aktualisht, çka ndikon ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve rrugore.

Ky projekt është pjesë e strategjisë afatgjatë të Bashkisë së Tiranës të miratuar në Këshillin Bashkiak në dhjetor 2014 për zëvendësimin e ndriçuesve brenda qytetit të Tiranës me ndriçues të teknologjisë së lartë që reduktojnë ndjeshëm koston e përdorimit të energjisë elektrike dhe kanë fuqi ndriçuese dhe jetëgjatësi më të madhe se ndriçuesit e zakonshëm.

Në përfundim të projektit kostoja e energjisë që i faturohet qytetit të Tiranës nga ndriçimi publik  do të ulet me 60% ose afro 1 milionë dollarë në vit, ndërkohë që cilësia e ndriçimit rritet me afro 50%./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd