
Maltë, 27 qershor 2015, NOA.al -Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cenuar procesin zgjedhor në 21 qershor.
Në forumin e grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Maltë, Vokshi i bëri me dije se ka patur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim në proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.
“Në një skenar të mirëpregatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”, tha zonja Vokshi
Ajo vuri theksin te klima kërcënuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, tek parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit.
Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore, Dors Pack dhe lideret e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, shprehën shqetësimin e madh për cenimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, te cilat mund te kenë ndikim në proceset integruese të vendit. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





