Transmetuar më 27-06-2015, 16:28

Mat, 27 qershor 2015, NOA.al – Ndaj punonjësit të Postës në Mat, Skënder Xhomara, i cili është akuzuar për veprën penale të ‘Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën’, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest me burg’.

Prokuroria e Matit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për ish-agjentin postar, i akuzuar se ka vjedhur paratë që u takonin për muajin nëntor 2014 rreth 90 personave në formën e pensionit të invaliditetit.

Sipas Prokurorisë, pasi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të reja nga filiali i postës Mat për t’i shpërndarë tek përfituesit që banonin në fshatrat e komunës Rukaj, i pandehuri është larguar drejt Italisë me shumën e lekëve të vjedhura.

Pak para se të nisej për në Itali, Xhomara i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumente dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës.

Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri.

Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Postës Shqiptare në Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd