Transmetuar më 26-06-2015, 09:10

Tiranë, 26 qershor 2015, NOA.al- Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterije Luzi informon mbi situatën e numërimit të votave për kandidatët për kryetarët e bashkive dhe për kandidatët e këshillave bashkiakë.

Në një dalje për mediat ditën e djeshme ajo bëri me dije se numërimi i votave për kryetarët e bashkive ka përfunduar për të 61 bashkitë, në rang vendi.

Ajo tha se numërimi i votave për kryetarët e bashkive në 90 ZAZ-të u krye me një ritëm të kënaqshëm, në qetësi, me përjashtim të KZAZ-së nr.1, Bashkia Malësi e Madhe, për shkak të situatave të tensionuara që janë krijuar në vijimësi rreth ambienteve të VNV-së, në orët e vona të mesnatës të ditës së djeshme.

Falë ndërhyrjes së KQZ-së me vendimmarrje për zgjidhjen e situatës, bashkëpunimit me forcat politike, për të pasur në VNV komisionerët e tyre, për vazhdimin e procesit të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë, si dhe dërgimit të inspektorëve të KQZ në këtë VNV, Luzi deklaroi se u bë e mundur numërimi i të gjitha kutive të votimit për kandidatët për kryetar bashkie dhe vazhdimi i numërimit me kutitë e tjera për këshillin e Bashkisë.

Duke qëndruar tek numërimi i votave për këshillat bashkiakë, ajo bëri me dije se KQZ po ndjek dhe monitoron procesin e numërimit, në të gjitha VNV-të, në të cilat ky proces nuk ka përfunduar.

“Mund të themi që numërimi i votave për këshillat bashkiakë, në përgjithësi po ecën normalisht, me raste të veçanta të ndërprerjes së procesit të numërimit për shkak të pushimit të kërkuar nga disa KZAZ", u shpreh kryetarja e KQZ.

Më konkretisht:

-Bashkia Malësia e Madhe, administruar nga KZAZ nr. 1, ka përfunduar numërimi i kutive të votimit për kryetar, po vijohet me numërimin e kutive për këshillin e bashkisë. Kjo KZAZ nuk ka asnjë “kuti të parregullt”.

-Bashkia Shkodër, KZAZ 2, mbeten për tu numëruar 73 kutitë e fundit për këshillin bashkiak.

Bashkia Lezhë, KZAZ 12 dhe KZAZ 13, mbeten për tu numëruar 5 kutitë e fundit për këshillin bashkiak.

-Bashkia Krujë, KZAZ 20, kanë mbetur edhe 11 kuti për këshillin e bashkisë.

-Bashkia Durrës, KZAZ 21, KZAZ 22, KZAZ 23, në total kanë 32 kuti të panumëruara për këshillin.

-Bashkia Kamëz, KZAZ 27, mbeten për tu numëruar 40 kuti për këshillin.

-Në rang vendi: mbeten për tu numëruar vetëm 167 kuti votimi për këshillat bashkiakë.

-Janë deklaruar kuti votimi të marra në dorëzim si të parregullta, vetëm një kuti votimi për kryetar (KZAZ 12, Bashkia Lezhë), dhe dy kuti votimi për këshillin bashkiak (një në KZAZ 12, Bashkia Lezhë, dhe një në KZAZ 47, Bashkia Elbasan).

Në emër të KQZ, Luzi bëri thirrje ndaj KZAZ-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, të përmendura më lart, që të ndjekin të gjitha hapat ligjore për vazhdimin e procesit të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë, siç e parashikon Kodit Zgjedhor.

Të dhëna për pjesëmarrjen, marre nga QV-të që kanë dërguar të dhëna për rezultatet paraprake.

Numri/përqindja e qendrave të votimit që kanë dërguar të dhëna-5.296 / 99,91%

Numri ne total i votuesve që kanë votuar nëpër qendra që kanë dërguar të dhëna-1 612 484, rreth 48.00%

Numri i femrave që kanë votuar nëpër qendra që kanë dërguar të dhëna- 693 388, rreth 44.00%./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd