
Prokuroria ka nisur procedimin penal për vëllezërit Arbion dhe Albano Aliko, të dyshuar si autorë të vrasjes së Ibrahim Basha, efektivit të forcave të RENEA-s dhe plagosjes së dy të tjerëve, të mërkurën në Lazarat.
Ndaj tyre ajo ka formuluar akuzën e “vrasjes me dashje në rrethana cilësuese”.
Vëllezërit Aliko janë emra të skeduar për policinë shqiptare. Një vit më parë gjatë operacionit antidrogë në Lazarat, ata ishin pjesë e listës së personave të shpallur në kërkim.
Avokati i dy vëllezërve Aliko ka deklaruar se po përpiqet t’i bindë ata të dorëzohen, por deri tani nuk kanë pranuar.
Sipas dy vëllezërve, njëri 17 dhe tjetri 20 vjeç, ata nuk kanë gisht në këtë ngjarje. Ndërkaq në Lazarat operacioni për gjetjen e personave që konsiderohen si grupi i zjarrit që kanë qëlluar mbi policinë vazhdon.
Numri i deritanishëm i të dorëzuarve apo ndaluarve ka arritur në 14, nga 21 persona që përmban lista.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





