
Nga Mustafa Nano
Duket haptazi që ka lindur një problem mes PS-së e LSI-së. Më saktë, një qejfmbetje. Kjo gjë u hamendësua qysh në momentin e parë pas zgjedhjeve nga një numër rezultatesh, por u konfirmua më pas nga një goditje me spond e Ilir Metës dhe nga deklaratë e qartë e Luan Ramës. Metës “i shkoi mendja” të bënte një deklaratë përshëndetëse e përgëzuese në adresë të Halim Kosovës, që ish kandidati i kampit kundërshtar në Tiranë e që i humbi zgjedhjet, dhe “i doli nga mendja” se do duhej të përshëndeste edhe Erion Veliajn, që ish kandidati i koalicionit të tij e që i fitoi këto zgjedhje edhe me votat e LSI-së. Ndërsa Luan Rama foli për një pazar të Roskovecit të bërë në Pogradec, duke lënë të kuptohet se në LSI janë me idenë që socialistët ua kanë shitur votën demokratëve.
Po e fillojmë nga kjo e fundit. Ka pasur një pazar të Roskovecit? Jo, ka pasur një “pazar të Pogradecit”, me fjalë të tjera socialistët pogradecarë nuk kanë dashur t’ia japin votën kandidates së LSI-së që në këto zgjedhje do duhej të ishte dhe e tyrja. Nuk u ka ngjitur fare kandidatja e LSI-së, dhe kjo, me shumë gjasë, nuk ka të bëjë fare me personin konkret. Socialistët kanë dashur që atje të kishin një kandidat të tyrin.
Mirëpo, kjo nuk ka pse ta shfajësojë PS-në në sytë e LSI-stëve. Ç’është e vërteta, as në sytë e asaj pjese të opinionit publik, së cilës i intereson jetëgjatësia e kompaktësia e koalicionit qeverisës, e jo njëra parti apo tjetra brenda të njëjtit koalicion. E me këtë logjikë, kjo është përgjegjësi e Partisë Socialiste, duke filluar nga Edi Rama e duke përfunduar tek deputetët socialistë të zonës e forumet drejtuese të PS-së lokale, të cilët do duhej t’i kishin bindur të vetët se loja në këto zgjedhje ish një lojë në koalicion, se kjo lojë nuk ka vetëm avantazhe (të jep mazhorancën në Parlament dhe të jep në dorë frenat e qeverisjes së vendit), por ka edhe kosto për t’u paguar. Një kosto është dhe kjo, që duhet të paguajnë socialistët e Pogradecit, s’ka gjë se janë më të shumtë në numër: duhet të pranojnë të drejtohen nga një kandidat që nuk është i tyre.
Ky pra është “pazari i Pogradecit”. Dhe ky “pazar i Pogradecit” duket nga fakti që ndërsa PS-ja atje ka marrë gati 5530 vota, LSI-ja 4236 vota, dhe PD-ja 4268 vota, Diana Mile, kandidatja e dy të parave pra, ka humbur përballë kandidatit të së tretës, Eduart Kaprit. Tani, nuk përjashtohen dhe lojëra jashtë e ndërpartiake që bëhen gjithnjë në nivel lokal (ilustrime: PD-ja ka dalë në garën për këshillat bashkiakë shumë më dobët se sa në garat për kreun e bashkive; vetëm në Tiranë, PD-ja ka gati 10% të votave më pak se sa kandidati Halim Kosova; ndërsa në Elbasan, PD-ja ka dalë e katërta për numër votash në garën mes partive; hajde merre vesh këtë trill të votuesve!), por në Pogradec lojëra të tilla do të ishin të pamjaftueshme për t’i dhënë fitoren kandidatit të PD-së. Është e qartë pra se socialistët ia kanë bërë me hile LSI-së. I njëjti rreng, ndonëse në përmasa të vogla, mund t’i jetë punuar LSI-së edhe në Lezhë e në Vorë. Meqë ra fjala, kjo zhurma e LSI-së për Vorën, e shoqëruar dhe me protesta “spontane” të votuesve, është një nga gjërat më të pashijshme të këtyre zgjedhjeve; e nëse e kanë seriozisht, nëse duan pra ta fusin këtë çështje në një lojë procedurash, gjykatash e rinumërimi me shpresën për të përmbysur rezultatin, do të ishte një banditizëm i pafalshëm, dhe më e madhja njollë që mund t’u vihej këtyre zgjedhjeve.
Por le të mbetemi te diskutimi i mëparshëm. Thamë se LSI-ja ka qenë viktimë e rrengjeve të socialistëve në bazë, por në të njëjtën kohë ajo është treguar e pandershme me aleatin e saj të madh. Shikoni se ç’ka ndodhur: ajo nuk ka qenë në asnjë bashki parti e parë, e megjithatë ka dalë e para pas këtyre zgjedhjeve në Përmet, Memaliaj, Skrapar, Këlcyrë, Pukë, Dropull, Delvinë, Mirditë, Klos, dhe është rritur me disa pikë, në ndonjë rast edhe dyfishuar, në Tiranë, Durrës, Tepelenë, Mallakastër, Librazhd, Cërrik, Belsh, Berat, etj. Në një numër bashkish ajo ka gërryer PD-në, por në të shumtën e rasteve i ka marrë terren PS-së. Nuk ka diskutim që ajo ka qenë në të drejtën e vet për të kërkuar sa më shumë vota, pasi gara për këshillat bashkiakë ka qenë një garë mes partive, për rrjedhojë edhe mes PS-së e LSI-së, por shenjat janë që LSI-stët në terren të kenë demonstruar një babëzi për vota, me anë të së cilës mund të kenë zemëruar jo pak socialistë. Një rritje e lehtë e saj në këtë garë për këshillat bashkiakë mund të shpjegohet me organizimin e funksionimin e mirë elektoral të kësaj partie, por në këtë mes nuk bëhet fjalë për rritje të lehtë. Bëhet fjalë për një uragan.
Është e sigurt që ky uragan nuk ka ndodhur për shkak të magjisë politike të LSI-së, apo për shkak të sex appeal-it të kreut të kësaj partie, apo për shkak të kontributit të kësaj partie në qeveri e në qeverisje. Sa më sipër, po e shpreh edhe me ndonjë pyetje të thjeshtë: Pse do duhej që mijëra socialistë të Tiranës e të Durrësit të votonin për LSI-në? Ç’arsye mund të jetë ajo që i ka bërë këta socialistë të konvertohen në LSI-stë? Kanë kuptuar këto dy vjet që Ilir Meta është më i zoti se sa Edi Rama? Kanë zbuluar se LSI-ja është një forcë politike që e mbron më mirë interesin kombëtar, interesin publik, interesin shtetëror? Kanë zbuluar që LSI-ja ka një qasje më etiko-morale në qeverisje?
Këto janë pyetje të sikletshme dhe për vetë LSI-stët, të cilët janë të parët që e dinë të vërtetën. Dhe e vërteta është se militantët e LSI-së në terren janë treguar shumë të uritur. U kanë kërkuar njerëzve votën për kandidatin për kryetar bashkie, pavarësisht nëse ky kandidat ka qenë i PS-së apo i LSI-së (dhe ky është rasti që dëshmon luajalitetin e LSI-së ndaj PS-së), por në të njëjtën kohë, me të njëjtën vendosmëri e me të njëjtat mjete, u kanë kërkuar e marrë votat për partinë e tyre. Këtë gjë e kanë bërë edhe me socialistët, dhe është për këtë arsye që ata vetë janë rritur kaq shumë. Është kjo luajale? Nuk duket. Luajale do të ishte që LSI-stët t’u kërkonin njerëzve, tok me socialistët, votën për kandidatin e përbashkët e t’i linin të vendosnin të pashqetësuar për votën e tyre për partinë.
Kjo është e gjitha pra. Pas kësaj janë dëgjuar zëra që shohin tek kjo karfosje e PS-së e LSI-së në terren fillimin e një sherri që do të marrë përmasa të mëdha. Edhe mund të jetë kështu. Nuk do kish pse të çuditeshim sikur të merrnim vesh se mes tyre plasi sherri, pasi kjo është një aleancë e ngritur, jo mbi një pakt programor të kopsitur mirë, por mbi dëshirën e të dyja palëve për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Mirëpo, nga ana tjetër, është pikërisht kjo aleancë, e ngritur me këtë logjikë palavike, që do t’i shkurajojë sherrxhinjtë. Kështu, për fat të mirë apo të keq (në varësi të optikës së secilit), PS e LSI do të mbeten tok. Dhe frika në fakt nuk është se mos këto dy parti bëjnë sherr. Frika është që këto dy parti nuk kanë për të bërë sherr për një kohë të gjatë. /Gazeta Shqip/
* Qendrimet jane personale te autorit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





