Transmetuar më 25-06-2015, 16:10

Tiranë, 25 qershor 2015, NOA.al Krerë të shtetit, politikanë, miq, të afërm janë mbledhur sot t’i japin lamtumirën e fundit Ibrahim Bashës, efektivit të forcave RENEA, i cili u vra ditën e djeshme në Lazarat.

I pranishëm në homazhet e mbajtura në Pallatin e Brigadave, Kreu i qeverisë, z. Rama e nisi fjalimin e tij duke thënë se “në paqe djemtë varrosin baballarët, ndërsa në luftë baballarët varrosin djemtë”.

Kryeministri, e ka cilësuar efektivin e policisë Basha si një simbol të sakrificës.

“Unë nuk e kam njohur Ibrahimin, as ju që jeni të pranishëm këtu nuk e keni njohur. Ne nuk dimë asgjë për Ibrahimin. Nuk dimë as si u ndje kur iku të luftonte jashtë atdheut, ne nuk e njohim dhe nuk kemi për ta njohur ndonjëherë, por erdhëm për ta nderuar. Prania jonë është një kujtim për rrugën e tij të re. Fjalët tona nuk mund ta zbusin zemrën e bërë gur të familjes së tij, – u shpreh Rama. –  Duke nderuar këtë njeri që nuk na lidhë asgjë nuk ulemi para një të vdekuri, por përpara një simboli të sakrificës. Trupi që kemi përpara është shëmbëlltyra e një ideali”.

“Ai ishte në anën e çdo familje shqiptare, – shtoi kryeministri. – Ibrahimi është një dëshmi e vërtetë e vlerës së paqes. Ju familja e Ibrahimit i mësuat vlerën e nderit të respektit dhe të detyrës”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu e cilësoi vrasjen e Bashës si një tragjedi kombëtare.

“Ai ka shërbyer në një prej vende ve të rrezikshme të Afganistanit dhe të Irakut. Ka marrë dy medalje për trimërinë dhe përkushtimin e treguar. Vrasja e tij ishte një tragjedi kombëtare. Ne nderojmë trimërinë dhe sakrificën e tij në luftën kundër krimit të organizuar.

Vetëm këtë javë kam pasur mundësinë të shihja ndërhyrjen e forcave RENEA. Aftësia dhe profesionalizmi i tyre më ka lënë mbresë. I gjithë kombi juaj duhet të jetë krenar për këta policë. Në emër të NATO-s dhe SHBA i shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve”,- ishin fjalët e ambasadorit Lu.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se është përgjegjësia e shtetit dhe qeverisë të vejë drejtësi për këtë ngjarje.

“Sot nuk është një ditë e zakonshme. Askush nga ne nuk do të donte të takoheshim në këto rrethana. Ibrahim Basha kreu me nder dhe profesionalizëm detyrën e tij ndaj atdheut. Ai na ka bërë krenar me shërbimet që kanë kryer në luftën për paqen dhe kundër terrorizmit. Ka sakrifikuar gjithçka në përballjen me krimin dhe kriminelët, për të siguruar qetësi për jetën tonë.

Është përgjegjësia jonë, e shtetit të kryejmë detyrën tonë, të vëmë drejtësi për Ibrahim Bashën, të vëmë rend dhe ligj”,- deklaroi Meta. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd