


Tiranë, 25 qershor 2015, NOA.al – Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë dhe Ministria e Punës dhe Politikave Sociale italiane janë angazhuar për të çuar më tej bashkëpunimin në fushën e formimit profesional të të rinjve shqiptarë, me qëllim përgatitjen e tyre me përvojën italiane dhe sjelljen më pas të kësaj përvoje në Shqipëri.
Gjatë një takimi mes ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe ambasadorit italian në vendin tonë, Massimo Gaiani u ra dakord që mes dy ministrive të bashkëpunohet më tej për të promovuar instrumentin e praktikës profesionale në Itali.
Më konkretisht, të rinjve shqiptarë të interesuar për t’u aftësuar me përvojë perëndimore do u jepet mundësia të përzgjidhen nga ndërmarrje në Shqipëri që të kryejnë për një periudhë 3 deri 6 mujore praktikë formuese pranë ndërmarrjeve në Itali.
Në bazë të kësaj marrëveshje pala italiane, me kërkesën e ndërmarrjeve të përfshira, do të lehtësojnë identifikimin e institucioneve trajnuese në Itali dhe të ndërmarrjes pritëse për punëtorët e zgjedhur.
Pala shqiptare merr përsipër të sigurojë mbështetje dhe bashkëpunimin e nevojshëm në Shqipëri, në fazën e identifikimit të nevojave profesionale të ndërmarrjeve të përfshira dhe të aftësive teknike për zhvillimin sektorial të profileve të kërkuara në sektorin e lundrimit dhe kantiereve të barkave. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





