







Intervistë ekskluzive për NOA.al / Fituesi i Big Brother Albania 8, Vesel Kurtishaj jeta e të cilit ka ndryshuar 360 gradë, pasi u bë një 23 vjeçar milioner falë një formati televiziv, duke besuar tek vetja. Përpos çmimit të madh ai fitoi edhe zemrën e Teas, një dashuri të cilën e konsideron si një lule të cilën ta po e ujisin dhe po e rrisin për momentin, ndaj uron që të mos thahet. Veseli sjell për NOA.al, të parën intervistë të tij pas daljes nga Big Brother, duke kujtuar momentet e kthimit si fitimtar në Kosovë, takimin me dy mbretëreshat e tij, gjyshen dhe të ëmën, raportin special me miqtë që e mbështetën në lojën e tij me drone dhe deltaplane, pa harruar të analizojë portretet e banorëve të Big Brother, ndërsa zbulon diçka mbi projektet e tij të ardhshme sesi do të investojë shumën prej 50 milionë lekësh që fitoi nga Big Brother Albania 8!
Vesel si e shijove kthimin në Kosovë dhe cila ishte pritja që t’u bë?
E papërshkrueshme. Për një moment në qendër të qytetit ndalojnë makinat dhe e vetmja gjë që dëgjohej ishin boritë. Në makinën ku ndodhesha ishte një mbishkrim të cilin e kishte vendosur vëllai për të gjithë ata që më kanë mbështetur. Me të kthyer kokën shoh shumë makina që i binin borive me të njëjtin mbishkrim dhe ishte një ndër gjërat më të bukura në orët e para të mbërritjes.
Personi që të mungonte më shumë ishte gjyshja, si ishte momenti kur u takove pas 50 ditësh?
Po gjyshja më mungonte shumë. Kur hyra në Big Brother nuk ishte mirë me shëndet dhe gjithë kohën brengosesha për gjendjen e saj. Takimi me të dhe mamin, eh…! Kjo po që ishte gjëja më e bukur që më ndodhi. Nuk mund të përmbahesha nga lotët e në të njëjtën kohë nuk doja ta mërzisja. Do i mbaj mend gjatë ata lot gëzimi që rrallë herë më bien…!
A të kujtohet ndonjë fjalë që të tha në atë moment?
Fjalia që isha mësuar tashmë ta dëgjoja mori kuptim kur e dëgjova nga goja e saj. Isha i hutuar sa herë e dëgjoja atë fjali: Na zbardhe fytyrën. Jam krenare për ty! Ishte fjali që më riktheu të gjitha momentet kur e kam dëgjuar të më jetë thënë. Kur me tha gjyshja e mami ketë fjali atëherë pashë se sa më kanë vlerësuar edhe të tjerët që ma kanë thënë të njëjtën gjë.
Në fakt fitorja jote u bë e dukshme javët e fundit, kujt ia dedikon atë?
Unë fitoren time ja dedikova familjes time menjëherë pasi u shpalla fitues, por asnjëherë nuk do të kisha arritur këtu pa mbështetjen e shoqërisë time dhe njerëzve që më kanë përkrahur e aq më shumë votuar, kështu që fitorja ime i dedikohet njerëzve që më kanë përkrahur para dhe pas daljes nga shtëpia. Kur them shoqëria më duhet të përmend VEBERAT, së pari Viganin, Ermalin, Blendin. Ata ishin njerëzit e parë që më përkrahen të hyj në Big Brother. Ishin të parët që menaxhuan gjithçka timen jashtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Njerëz që qëndruan pa gjumë që të tregonin gjithçka që bëja unë brenda. Asnjeri nuk e kishte për obligim tek e fundit, por unë pas daljes e kuptova sa i rëndësishëm isha para tyre, sa me kanë dashur e vlerësuar edhe para se të hyja në BB. Padyshim që fitorja ime merr kuptim kur unë jam me ata njerëz të cilët janë të vetmit që unë nuk dija se si t’i falënderoja për të gjitha ato që kanë bërë për mua.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj pas fitores së BB?
Kanë ndryshuar shumë gjëra duke filluar nga mënyra se si më shikojnë njerëzit tani e tutje. Shumë prej tyre më kanë parë dhe kanë pasur mendime të ndryshme për mua, sepse shumica nuk më kanë njohur. Me ndalojnë në rrugë shumë njerëz dhe jo vetëm për fotografi: të dëgjosh njerëz shumë më të vjetër se ti duke të komplimentuar, ky është moment që të bën të ndihesh i rëndësishëm. Rrallëherë e përmend veten si fitues sepse më duket sikur i referohem çmimit. Unë edhe po të mos e fitoja atë çmim kur dola pashë se kisha fituar shumë, fjalët që marr çdo ditë në rrugë janë fitore për mua, buzëqeshjet e njerëzve më të moshuar kur më ndalojnë janë vetë fitorja.
Ti hyre me vonesë në Big Brother, cili ishte motive që të nxiti?
BB për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr. Nuk e kam përcjellë shumë as në vitet e kaluara, por gjithmonë më është dukur një eksperiencë e mirë për ata që e kanë provuar. Unë nuk kam thënë asnjëherë që hyra se dua vëmendje, unë doja të jetoja jetën në Big Brother sikur jashtë dhe nuk kam bërë asgjë ndryshe nga jashtë, nuk më deformuan as paratë në atë ekranin e madh, e as ofendimet e provokimet e vazhdueshme. Tregohesha shumë Vesel (qesh).
Mjaft të komentuara kanë qenë debatet me Fatjonin, a jeni pajtuar?
Me Fatjonin asnjëherë nuk kam thënë që isha i hidhëruar me të. Unë para tij sikur para çdo banori tjetër isha vetja. Përmendja që dua të më nxjerrin jashtë nëse një model si ai do të ishte fituesi, nuk jam lojtar i fyerjeve e ofendimeve e provokimeve pa kornizë, e as nuk luaj me këtë pjesë. Ai e bëri gjithë kohën, por unë e shfrytëzova të tregoj vlera edhe para atyre tentativave për të më nxjerrë nga vetja. E respektoja lojën e tij që asnjëherë nuk pati sukses para meje, siç e respektoja atë edhe pse nuk e meritonte. Unë e kam kuptuar herët ç’ka ishte në gjendje të bënte ai për të fituar, për atë asnjëherë nuk kam pasur inat, nuk kisha pse e bëja. Tek e fundit secili tregonte çka bëjmë për të fituar diçka. Unë personalisht tregova që nuk deformohem për lekë e për pushtet, sepse i kushtoj rëndësi më shumë rrugës për t’i marrë ato.
Çfarë mendon se ishte shkak që ju përplaset aq shpesh me Fajtonin?
Në fillim kishim shumë raporte të mira. Bëja biseda që ai ma pranoi që nuk i kishte bërë në atë formë me banorët e tjerë. E respektoja për gjithçka, madje edhe kur kalonte limitet ndonjëherë. I tillë ishte. Unë mendoj se ai e pa sa të kundërt jemi unë dhe ai përballë banorëve të tjerë dhe mendoi se me rrugën që kishte nisur mund të më hidhte në hije mua. Vazhdonte me provokime e merrte ç’ka donte nga banorët e tjerë në forma të ndryshme, derisa mendoi se edhe me mua mund ta bënte të njëjtën. Unë reagoja zakonshëm, ruaja qetësinë dhe ndoshta kjo e bëri atë të rriste dozën e provokimeve e ofendimeve derisa ajo filloi të bëhej muzikë për veshët e mi. Ai kaloi në një pikë që nuk mund të tërhiqej më mbrapa dhe e deformoi figurën e vet përballë meje dhe mua më vjen keq për këtë gjë.
Kthehemi pak te nata finale, ishte ashtu si e kishe menduar, me ata finalistë?
Në përgjithësi po, sidomos për kolltukun ku isha unë i ulur isha i bindur madje te Eleonora dhe Alba e shihja fituesin, nuk e di pse! Ato kanë dhënë shumë në atë format dhe unë i vlerësoj shumë.
Noa ishte mentorja jote, madje është shprehur që kur ke hyre ke pasur plan të rrijë afër saj, është e vërtetë?
Kushdo që thotë që kishte një plan, a strategji të menduar para se të hyja është e vërtetë, por nëse thotë se i ka ecur mirë brenda dhe gjithçka ka shkuar sipas asaj strategjie gënjen. Unë e kam vlerësuar shumë Eleonorën nga jashtë dhe nëse nuk do të kisha hyrë, do të kisha qenë përkrahës i saj e pranoj, por afërsia me të nuk ishte plan, ishte rrjedhojë e kontakteve që kishim që nga dita e parë. Ajo gjithmonë më ka gjykuar drejt.
A të ka ndihmuar apo penalizuar aleanca me Noan?
Unë me Noan nuk kishim ndonjëherë aleancë për diçka. Por, nëse aleancë do të quhej raporti i mirë që kisha me të, atëherë nuk mendoj që me ka penalizuar. Në gjithmonë shiheshim si konkurrentë dhe loja që bënim ishte e pastër dhe e ndershme. Nuk penalizuam, as njëri, as tjetrin, ne vetëm dhamë karakteret dhe personalitetet tona pak a shumë të ngjashme në një miniaturë jete si Big Brother.
Çfarë vlerëson më shumë në raportin me Noan?
Te Noa vlerësoja sinqeritetin, zgjuarsinë dhe mënyrën si sillej me banorët dhe vazhdoj ta bëj. Sa herë rrija me të, të jepte mendime për gjithçka që ka parë tek ty, mirë apo keq. Ishte e vetmja në shtëpi që më bënte të analizoja gjërat në detaje shumë të vogla dhe shpeshherë e bënim bashkë këtë gjë.
Ju u bëtë mjaft i pëlqyer edhe për raportin me Tean, si kanë vijuar ato pas daljes?
Me Tean në javët e fundit brenda po njiheshim më shumë me njëri – tjetrin. Shijonim në maksimum çdo minutë të qëndrimit në shtëpi, e aq më shumë kur ajo filloi të ndjente se do të largohej. Kaluam shumë momente ato javët e fundit dhe i kujtoj me nostalgji. Pas daljes është po e njëjtë, takohemi edhe pse jo shpesh pasi mua më duhet të kthehem në Kosovë. Për të sqaruar në mënyrën time po përdor pak metaforë: Unë e Tea po ujisim një lule dhe po e rrisim atë por, nuk e dimë nëse lulja do çelë, nuk duam që ajo të thahet pa ujë apo të kalbet nga uji i tepërt (qesh). Kam treguar që jam i kujdesshëm në veprimet që bëj, e aq më shumë më Tean. Ndjehem mirë që e kam njohur, është vajzë shumë e zgjuar dhe e matur, gabimet janë për njerëz dhe në këtë rast, ajo për mua është një njeri me shumë vlera.
Sa kohë i ke lënë Teas për parë nëse mes jush do të ketë diçka?
Unë nuk i kam dhënë kohë Teas sepse ajo nuk ka nevojë për interval kohor nga unë. Ne po e shfrytëzojmë në maksimum kohën që të kalojmë mirë me njëri-tjetrin dhe bëjmë gjëra të bukura dhe shumë gallatë në shoqëri të njëri-tjetrit. Gjërat e bukura janë produkt i rastësisë e kjo e fundit sjell gjëra origjinale. Unë e Tea u takuam rastësisht, tani bëni lidhjen mes kësaj që thashë. (qesh)
Cilat janë synimet e Veselit për të ardhmen, keni projekte konkrete?
Nuk kam asgjë konkrete. Kam shumë oferta pune, por deri tani jam marrë më shumë me familjen, shoqërinë dhe me zhvillimet që mund të kem në punën aktuale. Gjithçka që bëj i kushtoj rëndësi më shumë se atyre që mund të ndodhin. Mendojmë shumë për të tashmen dhe rrugën më të mirë që të arrij një të ardhme të suksesshme dhe anasjelltas.
Po një objektiv për të investuar shumën prej 4.5 milionë lekësh?
Jo nuk e kam menduar ndonjë objektiv për të investuar shumën e fituar, por kjo nuk do të thotë që se kam munduar që këtë shumë ta kthej në një burim të ardhurash të vazhdueshme. Thjesht po mundohem t’i menaxhoj ashtu si i kam fituar, me qetësi, kontroll dhe ndershmëri.
Çfarë e bën të lumtur Veselin dhe çfarë e mërzit më shumë?
Nëse flasim për rrethin e ngushtë në familje e shoqëri mua më bën të lumtur shëndeti i mirë i tyre dhe më mërzit e kundërta. Nëse flasim në përgjithësi, atëherë Veselin e bën të lumtur respekti reciprok mes njerëzve dhe ndershmëria, e në të njëjtën kohë e mërzisin jo toleranca dhe nënvlerësimi në situatat që hidhen përball dy njerëzve, duke përfshirë kuptohet veten. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





