Transmetuar më 24-06-2015, 14:27

Agjencia e inteligjencës gjermane vë alarmin, “po rritet numri i grave gjermane që i bashkohen ISIS-it”. Hans-Georg Maassen, kreu i kësaj agjencie, tha sot (të mërkurën) se rreth 100 nga 700 shtetasit gjermanë që i janë bashkuar luftëtarëve të Shtetit Islamik, janë femra, gjysma prej të cilave nën moshën 25 vjeçare.

“Kemi parë një rritje të numrit të femrave që i janë bashkuar Shtetit Islamik, kjo si pasojë e apeleve të ndryshme për rekrutim të hasura në internet por edhe përmes kontakteve direkte”, citohet të ketë thënë Hans-Georg Maassen nga agjencia “Reuters”, teksa një trend i tillë duket edhe në raportimet e vendeve të tjera evropiane, sikurse Franca apo Britania.

Shefi i Agjencisë së inteligjencës gjermane tha gjithashtu se numri i simpatizantëve të ISIS-it në Gjermani është shtuar ndjeshëm duke arritur në rreth 7 500 persona dhe ky trend po e shton ndjeshëm kërcënimin. “Kërcënimi po bëhet gjithnjë e më kompleks”, tha Maassen.

Sipas kreut të agjencisë së inteligjencës gjermane, rreth 100 shtetas gjerman, të cilët i janë bashkuar luftëtarëve të ISIS-it, janë vrarë dhe numri i tyre është rritur në mënyrë të konsiderueshme që prej fillimit të vitit 2015-të.

Shtatorin e kaluar, Kancelaria gjermane Angela Merkel tha se të paktën 400 gjermanë dhe qindra shtetas të tjerë evropianë kanë udhëtuar drejt Lindjes së Mesme për t’iu bashkuar ISIS-it.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd