










Botuar më 24 qershor 2015/ Në Përditësim
10:49/ Shkon në 14 numri i të ndaluarve, policia jep detaje për operacionin
Ka shkuar në 14 numri i personave të ndaluar në Lazarat. Policia e Shtetit ka dhënë sot një deklaratë në lidhje me ngjarjet në këtë fshat.
Zyrtarisht blutë thonë se Policia e Shtetit vijon operacionin për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për sulmin me armë të një ditë më parë, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivë të tjerë.
Gjatë këtyre orëve, janë ndaluar 14 shtetas: Zhaklin Dërxho, Albon Meçi, Rustem Mahmutaj, Fatmir Gërveshi, Jeton Kalemi, Xhuljan Malo, Xhemil Gjolleshi, Gurim Skënderi, Denis Mahmutaj, Xhuljano Nuri, Sinan Rabaj, Sevo Shurdhi, Gerald Bime dhe Eligent Basha.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë rinisur kontrollet në fshatin Lazarat dhe në banesat e personave të shpallur në kërkim.
Ndërkohë grupi hetimor po këqyr vendin ku u sulmuan me armë forcat e Policisë. Të dhënat paraprake evidentojnë të paktën 10 vatra zjarri, ku u sekuestruan rreth 100 gëzhoja kallashnikovi dhe mitralozi, një granatë dhe një thikë.
Policia e Shtetit përsërit edhe njëherë thirrjen drejtuar personave të shpallur në kërkim, të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse. Operacioni do të vijojë deri në kapjen e personit të fundit në kërkim dhe përballjen e tyre me forcën e ligjit.
Flet babai i Sinan Rabit: Djalin e çova vet në polici, shteti të vërë pikën mbi ‘i’
09:53/Evidentohen 10 vatra zjarri e 100 gëzhoja
Grupi hetimor ka evidentuar deri më tani 10 vatra zjarri dhe 100 gëzhoja. Deri në këto momente është këqyrur vendi nga u sulmuan ditën e djeshme forcat e policisë, ndërsa mësohet se në atë vatër janë gjetur 100 gëzhoja kallashnikovi e mitralozi, si dhe është sekuestruar nj granatë e një thikë.
09:07/Në Lazarat prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore
Ndërsa fshati Lazarat vijon të jetë i rrethuar nga policia, në vendngjarje kanë mbërritur një grup ekspertësh të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët bëjnë me dije se do të nisin hetimet për të zbuluar se si ka ndodhur ngjarja mes fshatit Kordhocë dhe fshatit Lazarat.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë balistikë, të policisë gjyqësore e kriminalistë, të cilët po asistojnë grupin hetimor për ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Aty ndodhet edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Zholi.
Efektivët e policisë në Lazarat po lëvizin me mjete të blinduara, ndërsa gjatë natës nuk ka pasur të shtëna armësh.
Operacioni në Lazarat, bien në duart e policisë 13 nga 21 të dyshuarit
Policia e Shtetit informon se ka shkuar në 13 numri i personave të arrestuar nga grupi i 21 të dyshuarve që shihen si të përfshirë në ngjarjet e orëve të fundit në fshatin ish djep i drogës ku mëngjesin e së mërkurës u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.
Personat e arrestuar, ku pjesa më e madhe janë vetëdorëzuar, janë: Zhaklin Derxhi 18 vjeç, Gurim Skenderi 29 vjeç, Albon Meci 20 vjeç, Denis Mahmutaj 19 vjeç, Eligent Basha 21 vjeç, Sinan Rabaj 30 vjeç, Jeton Kalemi 21 vjeç, Xhuljano Nuri, Fatmir Gerveshi, Xhemil Gjolleshi, Xhuliano Malo dhe Sevo Shurdhi.
Janë ende në kërkim 8 persona të tjerë.Gjatë orëve të para të ditës së enjte ka nisur mësymja e forcave blu në fshat për kapjen e forcave të zjarrit. Gjatë orëve të natës forca RENEA kanë ushtruar kontroll në banesat e Arbion e Alban Aliko si dhe në banesën e Sebastian Shurdhit.
Aksioni është ndërprerë dhe mjetet e blinduara janë tërhequr nga drejtimi i zonave malore për shkak të errësirës mbrëmjen e 24 qershorit.
Por në të gjithë Lazaratin ka shumë mjete të rënda policore, përfshirë autoblinda si dhe të paktën 400 forca të FNSH dhe RENEA të cilat kanë krijuar një klimë të rënduar në këtë lokalitet jugor.
Pikat hyrës dalëse të fshatit të Lazaratit po vazhdojnë të kontrollohen dhe postblloqet do të vazhdojnë të jenë të ngritura.
Gjatë natës po vihen në funksion kamerat termike si dhe pajisjet e tjera të teknologjisë amerikane.
Vritet efektivi i RENEA në Lazarat, Policia: Gati të asgjësojmë të dyshuarit
Gjirokastër, 24 qershor 2015, NOA.al- Policia e Shtetit paralajmëron se ka ndërmend deri edhe të asgjësojë fizikisht personat që i konsideron si autorë të një rezistence të armatosur ndaj forcave speciale që kanë ndërhyrë orët e fundit në Lazarat.
Në një komunikatë të paprecendetë që lëshoi mbrëmjen e sotme Policia e Shtetit, thuhet se “është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjësimin e grupit të armatosur, nëse i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë”.
Kjo është hera e parë në gjithë këto vite që nga Policia e Shtetit vjen një deklaratë paralajmëruese që flet për ekzekutim të personave në kërkim në rast se i rezistojnë forcave policore.
Në komunikatë, gjithashtu Policia e Shtetit u bën thirrje këtyre shtetasve të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse.
Një thirrje u drejtohet edhe banorëve si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat, për të bashkëpunuar me forcat e policisë.
Duke theksuar se janë identifikuar 21 shtetas, si të dyshuar për sulmin dhe që aktualisht lëvizin të armatosur në brendësi të fshatit Lazarat, Policia e Shtetit ka publikuar identitetet e plota të të dyshuarve.
Shtetasit e shpallur në kërkim janë:
Arbion Aliko, 20 vjeç
Alban Aliko, 18 vjeç
Bervin Basho., 22 vjeç
Edmond Boci, 48 vjeç
Zhaklin Derxho, 18 vjeç
Xhuljano Nuri, 22 vjeç
Gurim Skënderi, 29 vjeç
Xhemal Gjini, 18 vjeç
Fatmir Gërveshi, 20 vjeç
G.B., 17 vjeç
Jeton Kalemi, 21 vjeç
Rustem Mahmutaj, 20 vjeç
Albon Meçi, 20 vjeç
Denis Mahmutaj, 19 vjeç
Xhemil Gjolleshi, 20 vjeç
Sinan Rabaj, 30 vjeç
Eligent Basha, 21 vjeç
Albi Mahmuti
Sevo Shurdhi
Endush Aliko
Ani Hiri.
Policia e Shtetit thotë se ka angazhuar më shumë se 400 forca të RENEA-s, FNSH dhe policisë lokale, në operacionin për kapjen e personave që qëlluan me armë mbi efektivët e RENEA-s paraditen e sotme. /a.b/noa.al/
Dyshimi, banda e Lazaratit i ngriti kurth forcave policore
I riu 31-vjeçar, Ibrahim Basha, u qëllua për vdekje mëngjesin e të mërkurës, gjatë një aksioni të RENEA-s, për kapjen e disa personave që kishin qëlluar mbi policinë në Lazarat.
Gjatë aksionit u plagosën edhe efektivët, Jetmir Isai dhe Perlat Hamiti, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjithçka, sipas policisë, ka nisur gjatë natës së të martës duke gdhirë e mërkura. Një grup personash në qendër të Lazaratit kanë qëlluar në drejtim efektivëve të Policisë së Gjirokastrës, të cilët patrullonin zonën.
Për këtë arsye është kërkuar asistenca e forcave speciale RENEA dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Aksioni ka nisur në mëngjes herët për kapjen e persona të armatosur, të cilët dyshohet se janë 21. Gjatë kontrolleve, policia ka bllokuar një automjet, duke kërkuar dhe ndihmën e RENEA-s. Në momentin që makina e RENEA po mbërrinte në qendër të fshatit, mbi të është qëlluar nga dy banesa aty pranë.
Ibrahim Basha, ish-pjesëtar i Batalionit Special të Ushtrisë me disa misione në Afganistan, prej 6 muajsh pjesë e RENEA, është qëlluar në kokë. Dy kolegë të tij, Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj, u plagosën.
Nga Gjirokastra, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahari e quajti një akt terrorist ngjarjen, ndërsa lajmëroi se autorët do të marrin përgjigje të pashembullt.
Në një mjet të bllokuar nga policia, i cili drejtohej nga shtetasi Xhuliano Malo është gjetur një arsenal armësh, radio komunikimi dhe lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Malo është marrë në pyetje dhe nga dëshmia e tij kanë dalë të dhëna të rëndësishme për grupin që qëlloi mbi forcat policore.
Ngjarja e mëngjesit të sotëm
Të shtëna me armë zjarri në Lazarat dhe përplasje e përgjakshme me policinë. Një efektiv policie i forcave speciale RENEA ka humbur jetën i qëlluar me plumb në kokë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Dy efektivët e plagosur u dërguan nga spitali i Gjirokastrës për ndihmë më të specializuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet, ku ndodhen jashtë rrezikut.
Përplasja e përgjakshme ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pasi një grup forcash speciale kishin hyrë brenda fshatit për të kryer një operacion, pas të shtënave të shënuara gjatë natës në Lazarat.
Gjatë operacionit, në momentin që policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë.
Nga të shtënat ka humbur jetën një polic i cili është identifikuar si Ibrahim Basha 31 vjeç me banim në Tiranë dhe janë plagosur dy të tjerët me iniciale Jetmir Isaj, dhe Perlat Hamitaj, ku njëri është në gjendje kritike për jetën për shkak të goditjes së marrë në kokë.
Ibrahim Basha ka qenë pjesë e Batalionit Special të Ushtrisë, ku numëron disa misione në Afganistan. Prej 6 muajsh ishte bërë pjesë e Forcave Speciale RENEA.Të shtënat kanë rinisur sërish edhe në mesditë, ku janë dëgjuar krisma në qendër të fshatit Lazarat, të cilat më pas janë ndërprerë.
Policia ka ndaluar një të dyshuar Xhulio Ilirjan Malo, të cilit ju gjetën në makinë armë dhe kokainë dhe gjatë kësaj kohe ka ndodhur edhe sulmi nga persona të fshatit mbi policinë.
Në Lazarat ka mbërritur edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe Prokurori i Krimve të Rënda Andan Zholi.
Efektivët e policisë, forcat RENEA dhe FNSH po vijojnë një operacion intensiv në Lazarat për kapjen e autorëve të krimit të rëndë, ndërsa po ndërhyhet edhe nga mali i Sopotit.
Lidhur me këto zhvillime ka një reagim nga kryetari lokal i opozitës, Roland Bejko. Ai kritikon prezencën e gjerë të forcave policore në Lazarat dhe thotë se “kaq shumë prezencë uniformash blu është një provokim për banorët”.
Lazarati është shumë i njohur për opinionin publik shqiptar dhe të huaj pasi për rreth 20 vjet ishte trafikues i gjerë i drogës dhe policia hezitonte të kryente operacione.
Një vit më parë në qershor 2014, ministria e Brendshme organizoi një operacion që zgjati një muaj dhe zbuloi sasi të mëdha drogash, para, etj. Po ashtu u arrestuan disa dhjetëra banorë të dyshuar si trafikantë droge.
Tahiri në Lazarat: Ligji do godasë fort
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ndal në Lazarat për të parë nga afër situatën dhe për të mbështetur uniformat blu në operacionin në terren për kapjen e të dyshuarve.
Ai uroi shërim të shpejtë për dy efektivët e policisë të plagosur që ndodhen në spital, ndërsa shprehu besim që solidariteti i shqiptari shkon për punonjësit e policisë që deri në këto momente po vënë jetën në rrezik.
Tahiri deklaroi se gjithë ata që kanë guxuar të qëllojnë me armë në këtë akt terrorist do marrin përgjigjen më të pashembullt.
“Do garantojmë se shteti ligjor vlen në çdo cm të territorit. Jemi të vendosur të mos tolerojmë në asnjë mënyrë që kriminelë dhe terroristë të tillë të shkaktojnë të gjitha situata. Ligji do godasë fort. Gjithë ata që qëlluan ndaj policisë do marrin ndëshkimin e duhur ligjor”, u shpreh Ministri i Brendshëm.
Ai ftoi banorët që të solidarizohen me Policinë e Shtetit dhe ta ndihmojnë atë, ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të mos përdorin gjuhë me dy kuptime por të dënojnë atë që e cilësoi si akt terrorist dhe të rreshtohen në krahun e Policisë së Shtetit.
Rama: Ditë zie. Mjeku: Të plagosurit jashtë rrezikut
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Spitalin e Politraumës në Tiranë, dy efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur në krye të detyrës në Lazarat.
Ndërsa u informua nga ekipi i mjekëve se gjendja shëndetësore e dy efektivë është jashtë rrezikut për jetën, Kryeministri kërkoi kujdes maksimal deri në shërimin e tyre të plotë.
Duke folur për ngjarjen, Kryeministri e cilësoi një akt kriminal drejtuar kundër Policisë së Shtetit:
“Sot është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit, por besoj edhe për çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, vlerëson kurajën, vlerëson shërbimin e Policisë së Shtetit dhe të këtyre djemve.
Duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së efektivit që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizoj se duhet të ndjehen vërtetë keq, ata që për faqen e tyre të zezë, edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, madje edhe duke e fajësuar, jo dhe aq në mënyrë indirekte. Faqen më të zezë!”
Sakaq, shefi i traumës në Spitalit Ushtarak në kryeqytet, informoi se dy efektivët e policisë të plagosur janë jashtë rrezikut, ku njëri prej tyre ka një plagë sipërfaqësore në kokë dhe tjetri është i plagosur në shpatull, ndërsa deklaroi se nuk ka nevojë për ndërhyrje.
Basha: Operacion me një automjet të papërshtatshëm, Volkswagen
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar në spitalin e traumës dy efektivët e policisë, të plagosur në Lazarat.
Lideri i opozitës u ka uruar të plagosurve Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj, shërim të shpejtë sikundër ka shprehur hidhërimin për efektivin e policisë së RENEA-s Ibrahim Basha, i cili humbi jetën dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.
Më poshtë, prononcimi i plotë i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:
“Në orët e para të mëngjesit kemi ndjekur nga raportimet e mediave zhvillimet në Lazarat, si rezultat i së cilave ka humbur jetën një efektiv i forcave speciale të policisë RENEA, Ibrahim Basha, një efektiv i ri në moshë dhe i ri në repartin e RENEA, një humbje për të cilën dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit, kolegëve e shokëve të tij. Jemi thellësisht të shokuar nga kjo humbje. Vizituam dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj të cilët janë jashtë rrezikut. U uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve.
Kemi kërkuar që në orët e para, minutat e para kur ngjarja është bërë publike nga mediat, nga policia të marrë të gjithë masat, për të mos pasur cënimin e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit dhe popullsisë civile. Kemi kërkuar që autorët të ndalen me forcën e ligjit, kemi kërkuar atë që mungonte deri tani, transparencën për çfarë ndodhi e çfarë po ndodh.
Një fakt shqetësues që sapo morëm vesh nga dy të shtruarit është që i gjithë grupi i efektivëve që është goditur nga kriminelët ka qenë në skenën e operacionit me një automjet të papërshtatshëm, Wolkswagen.
Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu por një analizë e plotë dhe e gjithanshme për humbjen e jetës, plagosjen e vënien në rrezik të efektivëve të policisë por ajo duhet bërë patjetër me objektivitet, pa politizim.
Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, kryeministri i vendit, njeriu që duhet të marrë përgjegjësi të bëjë transparencë për këtë ngjarje gjeti rastin ta përdorë këtu tek dera e spitalit për të bërë politikë e për të sulmuar opozitën, me një frymë.
Është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike që unë e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti kriminal të goditjes së efektivëve të policisë së shtetit. Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë, jemi e do të jemi gjithmonë në krahun e çdo efektivi të policisë së shtetit në detyrë dhe në zbatim të ligjit.
Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh mbrojtjen e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit, jetëve të popullsisë civile, nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencën që mungon në këtë çast, ndaj është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike e me motive të errëta
Edhe njëherë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen e Ibrahim Bashës, kolegët e tij dhe u uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve të policisë së shtetit”.
Policia jep informacion të detajuar mbi ngjarjen në Lazarat
Në dt. 24.06.2015 ora 02:30 në fshatin Lazarat forcat e FNSH të cilat ishin të planizuara me shërbim në vendin e quajtur “Kazinoja” mbi ish Pularinë tek kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë, si dhe të grupit që ishte me shërbim te kryqëzimi i përroit të Kordhocës janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat nga persona të pa identifikuar.
Po kështu në orën 04:44 grupi tjetër i FNSH që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e bukës” Kordhocë njoftoi se nga qendra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u ngrit grupi i drejtimit dhe u morën masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e personave të cilët kanë qëlluar forcat e policisë.
Me ardhjen e forcave RENEA në orën 09:00 filloi operacioni për kapjen e grupit e personave te armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Drejtorisë Policisë Qarkut Gjirokastër.
Gjatë operacioni për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës u konstatua një automjet benz i bardhë pa targa, i cili mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë.
U bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit i cili është shtetasi Xhulio Ilirjan Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera të RENEA me mjetin tip Volksvagen me targa MB 060 AA, ku në afërsi të vendit të quajtur “Pularia” në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA, ku punonjësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër ka gjetur vdekjen, ndërsa punonjësit e policisë J. I. dhe P. H. janë çuar në Spitalit Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë për një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip benz i bardhe së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo.
Gjatë këqyrjes së automjetit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në këtë automjet janë gjetur, një arsenal armësh:
Një automatik kallashnikov, një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm ndër ta edhe fishekë mitralozi, një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparate celulare si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si kokainë.
Gjithashtu po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve të tjerë nga fshati Lazarat për të parë kanë lidhje me ngjarjen apo jo.
Ndërkohë forcat e policisë mbajnë në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhet te ish Pularia në fshatin Lazarat.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur është hartuar një plan operacional, për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur që qëlluan punonjësit e policisë.
Në ndihmë të forcave të policisë kanë mbërritur grupe të tjera të FNSH dhe të RENEA si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për të transportuar forcat e policisë.
Në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka mbërritur Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Altin Qato, Prokurori i Krimve të Rënda Andan Zholi, si dhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Krimeve të Rënda.
Po vijon operacioni për kapjen e personave të armatosur.
Policia është e vendosur për të zbatuar rreptësisht ligjin për kapjen dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që goditën punonjësit e policisë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo tërheqje të Policisë.
Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasja e punonjësve të policisë” në bashkëpunim.
Policia flet zyrtarisht mbi “Lazaratin”
Gjatë natës së kaluar, një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër.
Herët në mëngjes, policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë.
Gjatë operacionit, në momentin që policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë.
Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha.
Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, me iniciale J.I. dhe P.H., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën. Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, si edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako. “Lazarati”, Nishani ngushëllon familjen Basha: Dënoj aktin kriminal Reagon PD
Partia Demokratike në një reagim ndaj ngjarjes thotë se po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në Lazarat, ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur, me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e një efektivi tjetër.
"Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile", thuhet në vijim të qëndrimit.
Partia Demokratike u bën thirrje banoreve të Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të grupeve kriminale./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





