
Tiranë, 23 qershor 2015, NOA.al- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit si më të mirat e mbajtura ndonjëherë.
Në një dalje për mediat mesditën e sotme nga MPB, ai tha se tashmë që procesi zgjedhor është në rrugën e përfundimit, është e qartë se fituesit më të parë të zgjedhjeve janë qytetarët të cilët demonstruan standardin më të lartë.
Ai tha më tej se falë vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk u cenua vullneti i zgjedhësve në të 61 bashkitë.
Tahiri deklaroi se zgjedhjet e së dielës janë dëshmia e qartë se kur vullneti i institucioneve shkon në shërbim të qytetarëve zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë tërësisht të mundshme në Shqipëri.
Ministri nënvizoi se fituan zgjedhjet e lira dhe të ndershme, demokracia dhe shteti ligjor.
“Fituan të gjithë, ky është suksesi i vërtetë sot, por mbi të gjitha nisja për të ndërtuar standarde demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Standard që nuk mund të zhbëhet. Falënderoj gjithë kandidatët dhe përfaqësuesit e partive politike që garantuan mbarëvajtjen e qetë të procesit zgjedhor. Për të garantuar një proces të rregullt në përmbushje të standardeve demokratike, bashkë me përfaqësuesit e opozitës dëshmuam se ne na ndajnë partitë, por se vullneti i qytetarëve dhe respektimi i tij është i mundshëm në sajë të bashkëpunimit”, u shpreh Tahiri.
Në vijim ai falënderoi Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të vendosur para përgjegjësisë këdo që cenon ligjin dhe rendin.
Gjithashtu ai falënderoi kandidatët që me kontribuuan që këto zgjedhje të jenë më të mirat të realizuara ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë.
Në vijim Ministri i Brendshëm informoi se gjatë procesit zgjedhor kanë nisur dy procedime penale, njëri kryesisht nga policia dhe se të dy rastet do të hetohen nga Prokuroria dhe se përgjegjësit do të përballen me pasojat.
Tahiri bëri me dije se personat e hetuar janë komisionerë të partive në Bulqizë dhe 8 qytetarë po ndiqen në gjendje të lirë./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





