
Tiranë, 23 qershor 2015, NOA.al- Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama, vlerësoi procesin zgjedhor dhe rezultatet e së majtës në zgjedhje duke e cilësuar si hapin e parë të vënies në jetë të reformës administrativo- territoriale.
Në një dalje paraditen e sotme nga selia e LSI, ai tha se zgjedhjet edhe sipas vlerësimit të partnerëve ndërkombëtarë shënuan tjetër standard në përputhje me standardet e parashikuara nga OSBE- ODHIR dhe sipas aspiratave të qytetarëve.
Rama shtoi më tej se qytetarët kanë qenë edhe protagonistët kryesor të këtij procesi, duke i falënderuar për nivelin e qytetarisë së treguar.
Në vijim ai ftoi numëruesit që të vazhdojnë me vendosmëri dhe qetësi numërimin e çdo vote, për të mos lejuar askënd të cenojë apo prek vullnetin e qytetarëve.
“LSI ka fituar si asnjëherë tjetër më parë në 9 bashki, të cilat natyrisht do të jenë dhe për të ju siguroj, modeli i shërbimit ndaj qytetarëve. Do të jenë modeli i realizimit të premtimeve të bëra, pavarësisht faktit se kush ka votuar pro tyre, apo kush nuk ka votuar për ta, ato do të jenë njësi në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Në tërësinë e këtij rezultati për sa i përket garës për kryetar bashkish, më lejoni qe t’ju dërgoj një falënderim, një vlerësim të veçantë të gjithë kandidatëve në garë, padyshim 9 kryetarëve fitues, midis të cilave edhe dy zonjave të nderuara. Por dua të falënderoj edhe ata kandidatë që për arsye nga më të ndryshmet, nuk rezultojnë fitues sa i takon numrit të votave, por janë fitues sepse kanë fituar admirimin, mbështetjen, zemrat e votuesve shqiptarë”, u shpreh Rama.
Ai falenderoi nga të gjithë votuesit e Bashkisë së Çorovodës dhe të gjithë votuesit e rrethit të Skraparit, të cilët sipas tij, me rezultatin e tyre spektakolar kanë bërë të mundur që kandidati i LSI të fitojë me shifrën rekord, 86.33 për qind, si kandidat, por të fitojë LSI-ja si forcë e parë politike me shifrën prej 57.2 për qind, çka dëshmon vlerën, konsolidetin dhe qëndrueshmërinë e votuesve tanë atje.
Referuar rezultateve zyrtare nga Komisioni Qenmdror i Zgjedhjeve për këshillat bashkiakë, ai tha se LSI rezulton të jetë forcë e parë politike dhe në shumë të tjera forcë e dytë politike.
Ndërsa për rezultatin e atyre bashkive ku kandidatët nuk u shpallën fitues, ai ftoi që të pritet me qetësi dhe vëmendje rezultati dhe do të shpallen më tej analizat e detajuara për të nxjerrë përgjegjësitë.
Lidhur me rezultatin në bashkinë e Pogradecit ku LSI kandidoi Diana Milen, Rama tha se nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë.
Sipas tij, “Pazari në Bashkinë e Pogradecit, ia kaloi edhe pazarit të Roskovecit”.
Sa i takon rezultatit në bashkinë e Vorës, Rama u shpreh se rezultati i shpallur është vetëm ai aritmetik dhe se po ndiqet me shumë seriozitet dhe vëmendje për të ndjekur votën reale të Bashkisë së Vorës.
Ai falënderoi qytetarët e Vorës pavarësisht bindjes, për qytetarinë dhe korrektesën e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor.
“Ne e kemi denoncuar më parë, e kemi dokumentuar procesin parazgjedhor të përgatitur me tendencën për ta korruptuar rezultatin, i jemi drejtuar KQZ-së, organit të Prokurorisë dhe do të ndjekim me shumë seriozitet, me konsistencë deri në fund të gjitha hapat ligjorë, të gjithë rrugën ligjore për të lexuar dhe për të certifikuar ashtu siç i takon me vërtetësi rezultatin edhe në Bashkinë e Vorës”, tha në vijim Luan Rama./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





