Transmetuar më 23-06-2015, 10:55

Një biznesmene në Vlorë përballet me terror psikologjik dhe frikë për ekzekutim pasi një person i maskuar e kërcënon me vdekje nëse deri në fund të këtij muaji nuk i jep 100 mijë euro.

Ngjarja konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. NOA.al informon se gruaja 45 vjeçare, Arta Xh., banuese në lagjen “Isa Boletini”, ka kryer një kallëzim penal lidhur me rastin.

Pronare e kompanisë së distribuimit të detergjentëve, “Shqipëria 2A”, me qendër në Vlorë dhe filial në Tiranë, kallëzuesja Arta Xh., ka denoncuar se më datë 17.06.2015, rreth orës 20.00, në lagjen “Lef Sallata”, një person me maskë, e ka kanosur me fjalë se do ta vrasë, nëse deri në fund të muajit nuk i jep 100.000 euro.

Gjithçka ndodhi pranë magazinave të biznesit të saj, informon NOA.al.

Gruaja është tmerruar nga kjo ngjarje, por katër ditë rresht ka ngurruar që të bëjë kallëzim penal në polici. Dy ditë më parë, të dielën e zgjedhjeve, 45 vjeçarja ka shkuar në komisariatin e Policisë Vlorë ku ka treguar gjithë çfarë i kishte ndodhur.

Policia thotë se po punohet për dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe shoqërimin e autorit, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë për identitetin e tij. /d.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd