Transmetuar më 22-06-2015, 15:06

Vëzhguesit e misionit të OSBE-ODIHR dhe të delegacionit të Këshillit të Europës prezantuan sot pasdreke raportin paraprak për zgjedhjet vendore ku dominuan vërejtje të shumta ndërsa u vlerësua në tërësi si proces pozitiv.

Misioni vëzhgues i OSBE-ODHIR në raportin e parë pas zgjedhjeve të së dielës, thotë se zgjedhjet ishin përgjithësisht pozitive, por se janë vënë re votime në grup dhe parregullsi.

Në prezantimin e saj, ambasadorja Audrey Glover u ndal në konstatimet për KQZ-në dhe tha se përgjithësisht funksionoi në mënyrë të hapur, por se karakteri i politizuar i diskutimeve çoi në disa vendime jokonsistente dhe në kundërshtim me ligjin.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve, raporti paraprak i OSBE-ODIHR evidentoi parregullsi procedurale.

Si shqetësim u cilësua prania e përfaqësuesve partiakë jashtë qendrave të votimit që sipas shefes së vëzhguesve të OSBE-ODHIR, Audrey Glover mund të frikësonin zgjedhësit, gjë që u cilësua si minim i besimit të publikut te sistemi zgjedhor në tërësi.

“Gjithashtu, lëvizjet e militantëve të partive kanë minuar besimin e procesit. ODIHR do të monitorojë pjesën e mbetur të tij”, theksoi zonja Glover.

Në vijim zonja Glover tha se jo të gjitha kërkesat për zgjedhjet u përmbushën dhe se KQZ si entiteti përgjegjës për organizimin e përgjegjshëm të zgjedhjeve ka funksionuar në mënyrë të hapur, por nënvizohet se karakteri i politizuar i diskutimeve çoi në vendime jo konsistente të KQZ dhe se disa vendime ishin në kundërshtim me ligjin.

Sipas Glover, KQZ mund të kishte dhënë udhëzim më të mirë dhe se disa nga afatet kohore për formimin e komisioneve dhe KZAZ nuk u arritën.

Sa i takon mediave, ajo tha se ka një  numër të madh transmetuesish mediatik por jo pluralizëm dhe nuk ka autonomi të redaktorëve.

Po ashtu u deklarua se videot e fushatës kryesisht u prodhuan nga vetë partitë, por edhe pse kjo lejohet nga kodi zgjedhor, quhet reklamim politik. Problematikë u cilësua edhe presioni ndaj përfaqësuesve të administratës me kërcënimin e vendeve të punës në këmbim të votave.

Gjetjet paraprake të këtij procesi zgjedhor i prezantoi dhe shefi i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Stewart Dickens. Fillimisht, diplomati veçoi si shqetësim përfshirjen në listat e zgjedhësve të rreth 1 milion vetëve që de fakto jetojnë jashtë Shqipërisë.

Më tej, Dickens përmendi me shqetësim raportet për kërcënim ndaj nëpunësve të administratës që të votonin për një kandidat të caktuar.

Blerja e votës u cilësua si tjetër shqetësim, në këmbim të shumave financiare. Në këtë linjë u deklarua se blerja e votës është denoncuar me akuza publike nga partitë politike dhe se më tej do mblidhen prova lidhur me këto akuza, ku çdo gjë do publikohet në raportin përfundimtar.

Gjithashtu u nënvizua se udhëheqësit kanë dalë gjerësisht në fushatë dhe se deklaratat e bëra gjatë fushatës, nuk përputheshin plotësisht me ato të zonave konkrete.

Zyrtari i Këshillit të Europës veçoi raportimet për blerje të votave apo akuzave për ryshfete, çka sipas tij është shkatërruese për kredibilitetin e administratës zgjedhore, si dhe dobëson besimin e popullit te zgjedhjet. Gjithashtu, Dickens evidentoi si të pazakontë, përfshirjen e kryetarëve të partive kryesorë në fushatë, çka sipas tij sfumoi kandidatët.

Dickens foli edhe për dominimin e udhëheqësve të partive në fushatë. “Përfshirja personale e figurave udhëheqëse, sidomos nga dy parti politikë në zgjedhje vendore, për rrjedhojë kandidatët e zonave nuk kanë dalë aq në pah, se më në pah kanë dalë udhëheqësit. Dhe temat e diskutuara kanë qenë të dimensionit kombëtar dhe jo të një rëndësie vendore, për bashkitë e caktuara. Duhet të ketë një shpërndarje të qartë të roleve. Fuqizimi i rolit të qeverisjes vendore është kyç për progres. Ne shpresojmë që reforma për qeverisjen vendore që ka filluar në Shqipëri do të vazhdojë të japë kontributin e vet për normalizimin e gjendjes dhe në këtë aspekt, Kongresi është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë”, tha Dickens.

Ekipi i ODIHR do të qëndrojë në terren edhe dy javë, ndërsa raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore pritet të dalë pas dy muajsh. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd