
Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit vazhdojnë angazhimin në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike pas periudhës zgjedhore në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore”.
Në këtë fazë të procesit, puna e strukturave të Policisë së Shtetit është përqendruar në drejtim të:
-garantimit të rendit e sigurisë publike pranë dhe përreth Vendeve të Numërimit të Votave, proces i cili ka filluar nga ora 18.00 e ditës së djeshme dhe do të vazhdojë deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ-ve.
-ndërhyrjes e marrjes së masave për vendosjen e rregullit dhe të rendit në ambjentet e VNV-ve sipas vendimeve përkatëse të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.
-si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numurimit të Votave në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Aktualisht nga shërbimet e Policisë së Shtetit vazhdon sigurimi i 90 Vendeve të Numërimit të Votave në shkallë vendi.
Gjatë këtij procesi nuk është evidentuar asnjë problem sa i përket rendit dhe sigurisë publike .
Situata paraqitet e qetë në të gjithë vendin. Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit për menaxhimin me sukses të fazës përfundimtare të detyrave në kuadër të procesit zgjedhor, kanë punuar me intensitet në drejtim të përmbushjes së detyrave institucionale për garantimin e rendit e të sigurisë në të gjithë territorin e vendit.
Në sajë të këtij angazhimi dhe përkushtimi, gjatë gjithë ditëve të këtij procesi, është bërë e mundur që jo vetëm të përmbushen detyrat në kuadër të procesit zgjedhor, por dhe të mbahet në kontroll situata për sa i përket rendit në të gjithë territorin e vendit, dhe të garantohet siguri në parametra optimale.
Strukturat e Policisë së Shtetit angazhohen se do të vazhdojnë të përmbushin me profesionalizëm dhe korrektësi detyrat që u ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor dhe në funksion të sigurimit të rendit publik dhe krijimit të një mjedisi të sigurtë për qytetarët./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





