
Në Shqipëri ka filluar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet vendore.
Bashkia e parë ku numërimi ka nisur është ajo e Pustecit.
Kjo është bashkia më e vogël në Shqipëri ku jeton një shumicë e minoritetit maqedonas. Edmond Themelko është kandidat i të majtës. Ai ka drejtuar për tetë vjet komunën e Pustecit, por tashmë po kërkon të jetë kryetar bashkie.
Ai ka përballë kandidatin e përzgjedhur nga e djathta Mihallaq Apostollovski.
Të dy kandidatë vijnë nga pakicat maqedonase.
Bashkia ka një popullsi prej 5300 banoresh dhe përbëhet nga nëntë fshatra, shtatë prej të cilave shtrihen buzë liqenit piktoresk të Prespës.
Pa dyshim fituesi i parë në këto zgjedhje do të dali nga Bashkia e Pustecit.
Sakaq, mbyllja e qendrave të votimit dhe nisja e numërimit të votave, është shoqëruar me deklarata nga selitë e partive kryesore politike dhe protagonistët e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.
Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova, u shpreh për fitore, ndonëse sipas tij ka patur përpjekje për manipulime.
“Falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë në votime, pavarësisht përpjekjeve jo të vogla për të manipuluar rezultatin. Të dhënat tona flasin për një rezultat pozitiv në Tiranë” tha zoti Kosova. Ai u kërkoi përfaqësuesve të PD-së në grupet e numërimit që të ushtrojnë rigorozisht detyrën e tyre. “Të ushtrojnë këtë përgjegjësi historike që kanë, për të bërë të dëgjohet zëri i qytetarëve. Së bashku nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të deformuar verdiktin e popullit” tha kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova.
Po për fitore është shprehur edhe kandidati i maxhorancës së majtë Erion Velia. Por ndryshe nga kundërshtari i tij ai ka zgjedhur rrjetin social Facebook. “Faleminderit nga zemra! Dua t’u shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që votuan dhe që ushtruan vullnetin e tyre qytetar për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. Mirënjohje e veçantë edhe për të gjithë numëruesit, të cilët do të administrojnë gjatë natës së sotme fitoren tonë” shkruan z, Veliaj.
Deklarata të ngjashme kanë bërë edhe kandidatët e tjerë.
Kurse pak para mesnate, për fitore me rezultate të shkëlqyera foli edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Minutat në vazhdim pritet një dalje e kryeministrit Edi Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





