


Kjo fundjavë mbetet e paharruar për rreth 1500 studentë të universitetit shtetëror të Tetovës në fqinjin Maqedoni pasi iu gëzuan laureimit dhe marrjes së diplomës universitare.
Pjesa më e madhe e këtyre studentëve ishin shqiptarë të Maqedonisë si dhe nga Shqipëria dhe Kosova.
Në ceremoninë e Universitetit Shtetëror të Tetovës të diplomuarit festuan diplomimin e tyre me hedhjen tradicionale të kapeleve.
Pjesa më interesante e këtij manifestimi ishte kapela unike e një studenti të Arkitekturës.
Ai në vend të kapeles ceremoniale të diplomimit si të gjithë tjerët, kishte zgjedhur diçka të veçantë.
Siç shihni në foton e dytë më poshtë, djaloshi mbante mbi kapele një projekt interesant arkitekturor. Ëndrra e tij për një shtëpi të tillë? Ndoshta. E nëse po, i urojmë t’i bëhet sa më parë realitet.
Edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi mori pjesë në ceremoninë e shënimit të diplomimit të studentëve të viteve të fundit të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Ademi tha se numri i 1446 të laureuarve, tregon se USHT-ja është ndër universitetet më të suksesshme në Republikën e Maqedonisë.
“Para jush është një periudhë e re e jetës. Me marrje të diplomës në duar, ju do të keni mundësi të punoni atë që ju dëshironi, atë që ju keni zgjedhur të jetë profesioni i juaj i jetës gjatë regjistrimit në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Unë jam i bindur se në sajë të aftësive profesionale që ju posedoni, shpejt do të punësoheni. Disa nga Ju do të vazhdojnë arsimimin e tyre në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Midis tyre mund t ë jenë profesorët e ardhshëm të cilët do të vazhdojnë traditën e suksesshme të stafit aktual të këtij Universiteti, ose do të ligjërojnë në disa nga Universitetet më të njohura në botë”, – tha Ademi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





