Transmetuar më 21-06-2015, 15:05

Tiranë, 21 qershor 2015, NOA.al- Ndalohet këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe me emrin Stresi.

Ai u kap para shkollës “Partizani” në kryeqytet para një qendre votimi. Mësohet se ai është shoqëruar nga uniformat blu për të bërë verifikime, nëse rezulton i shpallur në kërkim.

Stresi ka deklaruar më herët se është vënë në shënjestër të policisë për shkak të bindjeve të tij politike të djathta. Ai u arratis mbrëmjen e 30 janarit për kundërshtim të policisë dhe drejtim të mjetit pa patentë, ndërsa u arratis nga komisariati nr.3 në kryeqytet disa orë pas shoqërimit.

Arratisja e Stresit

Arkimed Lushaj u shoqërua në polici në fund të muajit janar, pasi u ndalua në zonën e Laprakës në kryeqytet.

I riu u shoqërua në ambientet e komisariatit nga policia rrugore, për ti bërë testin e alkoolit dhe verifikimet e rastit, për shkak se nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në komisariat, Stresit nuk i janë vënë prangat nga policia rrugore. Në testin e alkoolit, sipas raportit të dorëzuar në prokurori, Stresi ka rezultuar, se nuk kishte konsumuar, ndaj po procedohej penalisht për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”.

Rreth orës 8 të mëngjesit, Arkimed Lushaj, ka kërkuar nga tre oficerët tashmë të arrestuar, të dalë në korridor për të pirë një cigare. Kjo është pranuar dhe me të dalë, Stresi, ka hapur dritaren dhe ka zbritur, duke ikur me vrap.

Mësohet se tre minuta më pas, është konstatuar largimi i tij nga ambientet e policisë. Ndërkohë lajmi i arratisjes, është dhënë rreth orës 18 të mbrëmjes së shtunës së 31 janarit, kohë kur edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ka nisur hetimet.

Në përfundim të këtij hetimi, janë arrestuar tre punonjësit e policisë rrugore, Saimir Cinga, Bashkim Dybeli dhe oficeri Mark Gjonpalaj, ndërsa janë pezulluar 9 efektivë të tjerë për neglizhencë dhe mosraportim të rastit.

Arkimed Lushaj u procedua penalisht për tre akuza, atë të “mosbindjes ndaj urdhrit të policisë”, “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “drejtim të mjetit pa patente”. Ndërkohë  Stresi ka deklaruar, qëndroi jashtë shtetit për disa muaj duke mos u dorëzuar në polici./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd