
Kriminelë, maskarenj, dhe plot epitete të tjera përdori kryeministri Edi Rama në këtë mbyllje fushate elektorale, ndaj gjyqtarëve të Shqipërisë. Është hera e parë që një drejtues i lartë shteti përdor një gjuhë kaq të ashpër dhe kjo ka sjellë reagim nga trupa e gjyqtarëve të Shqipërisë, që kërkuan të mos përgjithësohen të gjithë gjyqtarët duke i përbaltur në tërësi.
Nga Edison Kurani / Independent Balkan News Agency
“Gjykatat e Shqipërisë janë gjykata gagarele dhe mezi po pres që në vjeshtë të kalojmë paketën e reformës në drejtësi”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama një ditë më parë duke paralajmëruar furtunë në sistemin shqiptar të drejtësisë.
Z.Rama thotë se gjykatat i konsideron si “pushtetin më të korruptuar, më abuziv dhe më qesharak që e kanë bërë Shqipërinë me turp”.
Ndaj duke kujtuar operacionin kombëtar ndaj vjedhjes së energjisë elektrike, paralajmëron: “Ajo që kemi bërë me energjinë nuk është asgjë me atë që do të bëjmë me gjyqësorin”.
“Do ta tundim gjyqësorin nga themelet në mënyrë të tillë që as mund ta imagjinojnë të gjithë ata maskarenj që e kanë përdorur togën e gjykatësit për tu bërë palë me krimin”, – përforcoi z.Rama.
Por pse gjithë ky “mllef” ndaj gjykatave shqiptare?
Është e qartë se shumë gjyqtarë janë të korruptuar e shumë të tjerë të ndikuar politikisht.
Nga ana tjetër disa janë të paaftë e disa të tjerë abuzojnë me hapësirat ligjore dhe boshllëqet ligjore.
Për më tepër, mënyra si interpretohen ligjet lë kaq shumë mundësi që të fitojnë të gjithë, që nga polici që kryen një ndalim, te hetuesi, prokurori, avokati dhe gjykatësi. Në këtë mënyrë shumë qytetarë paguajnë mijëra euro për të pasur një vendim sa më të butë në proceset penale ndaj tyre.
Nga ana tjetër, shumë procese civile janë futur në kalendar greke, për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, duke bërë që prona dhe biznese të mbeten peng të së drejtës së shitblerjes nga mungesa e dokumentacionit.
Për fat të keq, procese civile për prona, janë shndërruar shpesh në tragjedi mes palëve që janë lodhur nga kalvari shumëvjeçar në gjykata. E pas dështimit të proceseve civile duke përfunduar në krime të rënda, palët janë rikthyer pjesërisht vetë ose me të afërmit e tyre, sërish në gjykata, por tashmë në procese penale.
Këto janë vetëm një pjesë e fakteve që tronditin vendin dhe detyrojnë qeverinë të marrë masa sa më parë për ndryshimin e situatës.
Njëkohësisht, deklaratat e ndërkombëtarëve janë të qarta kur thonë se në sistemin e drejtësisë shqiptare ka plot njerëz të korruptuar.
Këtë e pohon edhe z.Rama. “Gjykatat e Shqipërisë janë gjykata të cilat e kanë bërë këtë vend një vend të turpëruar në sytë e të gjithë opinionit ndërkombëtar. Dhe nuk do të lejojmë ne që një tufë të korruptuarish, një tufë njerëzish që janë edhe më përgjegjës se vetë kriminelët me aktet e tyre të shpalljes së pafajësive, të na marrin ne zvarrë dhe të na pengojnë të futemi në Bashkimin Evropian”.
Rama paralajmëron se brenda kësaj vjeshte do të kalohet në Parlament, “paketa më e rëndë ligjore e historisë demokratike të Shqipërisë”.
Kryeministri siguron se menjëherë pas kalimit në vjeshtë të paketës për drejtësinë, do të nisë “operacioni”, me të cilin tha se “do të tundim nga themelet drejtësinë në Shqipëri”.
BE: Reforma duhet të jetë e thellë dhe me efekt afatgjatë
Ambasadorja e Delegacionit të BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, thotë se reforma e gjyqësorit është shumë e rëndësishme. Sipas saj kjo është “reforma më thelbësore dhe më e rëndësishme që do të kalojë Shqipëria në procesin e zgjerimit”.
Vlahutin sugjeron se kjo reformë duhet të jetë e thellë duke synuar që në Shqipëri të ketë një gjyqësor që të japë drejtësi për qytetarët e vendit.
Ambasadorja sugjeron se nuk duhet të ketë reformë për disa vjet apo për një cikël elektoral, por një reformë për 30-40 vitet e ardhshme.
“Një nga gjërat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor është stabiliteti, sepse sjell parashikueshmëri në shoqëri për njerëzit dhe ne do të këmbëngulim fort që kjo reformë të ndodhë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse që të jetë e mundur, përfshirë ndryshimet e Kushtetutës që mendoj se duhen bërë patjetër kur flitet për këtë reformë”.
Trupa gjyqësore shqiptare: Po përbaltemi në grup
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, zhvilloi dje një mbledhje të posaçme ku u ndal tek deklaratat e ashpra ku atakohet e gjithë trupa gjyqësore e vendit.
Në vlerësimin e këtij Këshilli “këto deklarata të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve. përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqtarëve”.
“Nuk është e drejtë që të identifikohet dhe të përgjithësohet puna dhe veprimtaria e trupës gjyqësore të Republikës së Shqipërisë, me akte të veçanta të cilat nuk përfaqësojnë në asnjë rast figurën dhe punën e përditshme të gjyqtarëve”, – sugjeron Këshilli Ekzekutiv.
Kurse evidenton: “Statistikat me te thjeshta gjyqësore tregojnë qartësisht punën voluminoze, te përgjegjshme dhe serioze e cila realizohet çdo dite nga qindra gjyqtare te sistemit gjyqësor”.
Këshilli Ekzekutiv ka dhe një thirrje për drejtuesit e lartë të shtetit, politikës dhe medias: “Ne iu bëjmë apel përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, organeve të medias, qytetarëve që të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje në shfaqjen e opinioneve dhe qëndrimeve denigruese, fyese dhe negative ndaj gjyqësorit, të cilat dalin jashtë kufijve të një kritike të shëndoshë, dashamirëse dhe konstruktive”.
Unioni i Gjyqtarëve: Mjaft më me anatemime
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë tha sot se po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit, që kanë lidhje me procesin e reformës në drejtësi dhe nisjen e procedimeve penale, kundër disa gjyqtarëve, të dyshuar për kryerjen e veprimeve korruptive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Unioni thotë se distancohet me forcë nga çdo fenomen antiligjor dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të veprojnë fuqimisht dhe të ndërmarrin veprimet e duhura, në respekt të parimeve themelore të një procesi të drejtë penal, ndaj çdo fenomeni korruptiv, të konstatuar në çdo nivel të sistemit gjyqësor.
“Por, me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, – shprehet Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Bordit Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për “këtë fenomen” dhe bën thirrje “për ndaljen e tij pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend”. /ibna/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





