Transmetuar më 19-06-2015, 18:59

Kavajë, 19 qershor 2015, NOA.al- Nga qyteti i Kavajës kryesocialisti Edi Rama kërkoi nga qytetarët që në 21 qershor të votojnë shqip dhe jo SHQUP, duke sqaruar se të votosh shqip në Kavajë do të thotë të votosh Elvis Roshin.

Në përmbyllje të fushatës elektorale të Kavajës pasditen e sotme ai tha se Kavaja zgjedhjen e vetë e ka bërë duke shtuar se në 21 qershor të gjithë duhet të derdhen në qendrat e votimit për dinjitetin e rifituar të Kavajës.

“Më thanë që ka ardhur Luli këtu në Kavajë dhe ka pyetur si e quajnë Elvis Roshi apo Ervin Roshi dhe unë kam një pyetje tjetër, si e quajnë kryetarin e PD, Sali apo Lul? Se sa i përket kryetarit të bashkisë e quajnë Ervin, e quajnë Elvis, e quajnë qytetarin e parë të Kavajës. Vini ka qenë 15 vjeç kur bashkë me shumë të rinj që e braktisën Kavajën në momentin që u hapën kufijtë dhe ikën bashkë me mijëra shqiptarë për të kërkuar në rrugën e vështirë të emigrimit një jetë më të mirë. Dhe nuk ka asnjë mister në emrin e tij ashtu si dhjetëra mijëra të tjerë që në vitet ‘90 trajtoheshin si mos më keq dhe dëboheshin si emigrantë të paligjshëm, edhe ai ka qenë i dëbuar, por ajo që sot ka rëndësi është se është i nderuar”, u shpreh Rama.

Ai tha se Roshi është i nderuar sepse është shërbimi i jashtëzakonshëm që i ka bërë vendlindjes që e bën të nderuar në të gjithë Kavajën dhe lidhja e fortë me punën dhe me jetësimin e programit të tij që e kanë bërë dhe do e bëjnë edhe më të nderuar.

Sipas tij Elvis Roshi mori një nga bashkitë më të rrënuara dhe nga një realitit i braktisur në katër vjet e transformoi në një realitet tërësisht tjetër.

Kryeministri deklaroi se Berisha e rrethoi Kavajën, e bllokoi dhe izoloi dhe e trajtoi si gjithë bashkitë e drejtuar nga socialistët deri kur në 23 qershor Kavaja tha ai, u çlirua.

“Kavajasit i dhanë dërmën Berishës, duke u çliruar që pas 20 e kusur vitesh që votuan Saliun gjetën njeriun e duhur dhe nuk kanë ndërmend të kthehen më mbrapa. 20 e kusur vite deputet i Kavajës këtu, president, kryeministër dhe as ujë të pijshëm s’i la Kavajës kur iku. Është shumë e afërt dita që gjithë plazhi i Golemit do e ketë ujin e pishëm se ne e kemi financuar projektin”, u shpreh shefi i mazhorancës.

Ai shtoi gjithahstu se i vetmi mister për Kavajën është se në dorë të kujt ka ngelur PD-ja, në dorë të Saliut apo të Lulit dhe se sipas tij mister tjetër nuk ka.

Referuar heqjes së memorialit të dy gishtave në Kavajë, Kryeministri tha se nuk ishte shkulja nga zemra e Kavajës e asaj kujtese historike për Kavajën, por ishte kthimi i dinjitetit të asaj kujtese, përmes një memoriali të realizuar nga një skulptor i madh.

Referuar përurimit të memorialit “Demokracia” me ngjyre kuq e zi, i cili u bë pasditen e sotme nga kreu i qeverisë dhe kryebashkiaku-kandidat Elvis Roshi, Rama tha se qytetarëve kavajas u është dhuruar një skulpturë në kujtesë dhe respekt të gjithë atyre të rinjve që dolën për të çliruar Kavajën dhe Shqipërinë.

“Nuk ka mbyllje më fantastike për fushatën dhe për bashkinë e re të Kavajës se sa të çelim së bashku memorialin dhe monumentin e shkëlqyer modern që ju bën respket socialistëve, demokratëve dhe qytetarëve të Kavajës. Ju bën respekt gjithë atyre që Saliu u dha pishtarin e demokracisë po i trajtoi si të ishin pishtuk dhe jo pishtar. Ishte zgjedhja e këtij kryetari bashkie që i kthehu dinjitetin Kavajës, sepse i kthehu Kavajës dritën, ditën dhe natën”, pohoi Rama./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd