
Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al- Ndërsa pasnesër është dita e votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë bazën materiale zgjedhore pranë çdo Komisioni Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, që do të përdoret nga KZAZ-të, QV-të, dhe Grupet e Numërimi.
Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj tha në një dalje për mediat se në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor që do të zhvillohet më datë 21 qershor, KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e infrastruktures zgjedhore, në funksion të zhvillimit korrekt dhe ligjor të procesit në ditën e votimit dhe në vendin e numërimit të votave, deri në dorëzimin e bazës materiale zgjedhore, pas perfundimit të procesit zgjedhor nga KZAZ-të në KQZ.
Ajo u shpreh se KQZ njofton Komisionet e Zonave te Administrimit të Zgjedhjeve të marrin të gjitha masat e duhura që në zbatim të detyrimeve të Kodit Zgjedhor të fillojnë ditën e shtunë, datë 20 qershor, shpërndarjen e bazës logjistike zgjedhore çdo qendre votimi në juridiksionin e tyre.
Sipas zëdhënëses së KQZ shqetësues mbetet fakti që deri tani, në 12 ZAZ akoma nuk ka përfunduar procesi i emërimit të anëtarëve të Komisioneve te Qendrave te Votimit, për shkak se partitë politike nuk kanë dorëzuar propozimet e tyre pranë KZAZ-ve.
“Ju bëjmë thirrje partive politike që të propozojnë menjëherë anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit, në mënyrë që KZAZ-të të marrin vendimet përkatëse për emërimin e tyre, pasi kjo do të sjellë përmbylljen me sukses dhe brenda afateve kohore të procesit të dorëzimit të bazës materiale zgjedhore nga KZAZ-KQV”, u shpreh Hoxhaj.
Ajo informoi në vijim se sot në një nga emisionet televizive të mëngjesit, Aranita Brahaj në cilësinë e përfaqësues së Dhomës Zgjedhore, deklaroi se: “Sot po printohen dhe riprintohen listat e zgjedhësve nga KZAZ-të për t’jua dërguar më pas KQV-ve. Sipas zonjës në fjalë, ky riprintim fizik sjell montimin dhe çmontimin e listave të zgjedhësve duke shkaktuar pelegrinazh të votuesve, njësoj si në vitin 2003”.
Zëdhënësja e KQZ deklaroi se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe e cilësoi si dezinformim të publikut dhe zgjedhësve shqiptar, pasi sipas saj listat jo vetëm këto ditë, por asnjëherë nuk printohen nga KZAZ.
“Të krahasosh zgjedhjet e vitit 2003 me zgjedhjet e vitit 2015, me një diferencë prej 12 vitesh, është absurde, kur dihet botërisht që Kodi Zgjedhor ka ndryshuar shumë herë që nga viti 2003. Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor, pjesa e tretë e tij, konkretisht neni 56, përcakton se lista e zgjedhësve që përdoret në Qendrat e Votimit gjatë ditës së votimit, printohet në zyrat e Gjendjes Civile nëpërmjet sistemit elektronik nga të dhënat që janë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe vërtetohet në çdo faqe nga Kryetari i Njësisë së Qevrisjes Vendore dhe Përgjegjësi i Zyrës së Gjendjes Civile. Programi i kompjuterik i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile është i ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk lejon asnjë ndryshim në listën e zgjedhësve”, tha më tej ajo.
Hoxhaj informoi se KZAZ-të së bashku me shpërndarjen e bazës materiale logjistike zgjedhore ditën e nesërme, 20 qershor, i dorëzon Komisioneve të Qendrave të Votimit listën e zgjedhësve që do të përdoret ditën e votimit.
Në emër të KQZ ajo apeloi të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e zgjedhjeve të 21 qershorit që të tregohen të kujdesshëm në deklaratat dhe informacionin që japin në media të ndryshme dhe të citojnë në mënyrë korrekte dispozitat e Kodit Zgjedhor./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





