
Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama kërkoi votën për Aleancën për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e së dielës, duke e cilësuar si votë në drejtimin e duhur.
Në takimin përmbyllës elektoral në Kamëz pasditen e sotme, në mbështetje të kandidatit Safet Gjici, Rama tha se zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë për të rrëmbyer, por për të shërbyer.
Ai deklaroi se zgjedhja është shumë e qartë dhe kush zgjedh kandidatin demokrat Xhelal Mziun zgjedh të shkuarën, tha ai, duke shtuar se kush zgjedh Safet Gjicin, zgjedh të ardhmen.
“Kush zgjedh Xhelalin zgjedh vazhdimin në rrugën e gabuar, kush zgjedh Safetin zgjedh drejtimin e duhur për Kamzën. Kush zgjedh Xhelalin zgjedh ta lërë bashkinë e Kamzës mes humbësve të mëdhenj të 21 qershorit, kush zgjedh Safetin, zgjedh t’a bashkojë Kamzën në trenin e gjatë të fitoreve”, u shpreh Rama.
Ai tha më tej se është koha që të gjithë ata me të drejtë vote pjesëtarë të çdo familjeje të shkojnë të votojnë në 21 qershor, jo thjesht për partinë që ata duan, por për fëmijët e tyre që ju detyrohen një votim të përgjegjshëm, të arsyeshëm dhe në drejtimin e duhur.
Rama garantoi se sa më shumë qytetarët të investojnë me votën besimin te kandidati i majtë dhe ASHE, aq më shumë do punohet për t’u kthyer njëqindfish investimi./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





