
Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al- Zv.ministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea deklaron se janë marrë të gjitha masat për të garantuar standardet më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 21 qershor.
Në një deklaratë për mediat ditën e sotme ajo tha se MPB dhe Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve që të distancohen nga çdo akt apo përpjekje që synon të njollosë procesin e rregullt zgjedhor dhe të kontribuojnë aktivisht për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme duke lejuar institucionet, ndër to edhe Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, të bëjnë detyrën në mënyrë profesionale dhe të paanshme.
Lidhur me deklaratat publike të Partisë Demokratike me insinuata sipas saj për incidente që kanë ndodhur përgjatë fushatës, informoi se çdo njoftim është konsideruar maksimalisht, duke shoqëruar 21 shtetas të dyshuar si të implikuar në ngjarje që lidhen me fushatën, për të cilët materialet janë referuar në Prokurori.
Më konkretisht ajo sqaroi se për ngjarjen e ndodhur një natë më parë në Elbasan, policia ka kryer të gjitha veprimet proceduriale, duke marrë në pyetje personat që janë dhunuar, apo ata që mund të kenë patur dijeni për incidentin.
Sipas saj, policia ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe materialet u referuan në Prokurori për kanosje dhe dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
“Për rastin e Vorës, personi i dyshuar për shkaktimin e incidentit, ishte shoqëruar në polici përpara se të dilte në deklaratë për media z. Lulzim Basha. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pati sot paradite komunikimim të vazhdueshëm me kandidatin, si dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë zonë, për t’u garantuar zbatimin rigoroz të ligjit nga çdo strukturë e Policisë së Shtetit. Por as në këto momente nuk ka një denoncim apo kallëzim të kandidatit të Partisë Demokratike në polici. Policia e Shtetit e ka ftuar dhe fton sërish kandidatin të bëjë kallëzim”, u shpreh zv.Ministrja e Brendshme.
Më tej ajo bëri me dije se në Mallakastër, policia ka shoqëruar disa persona që udhëtonin me dy automjete për mungesë dokumentacioni dhe pas verifikimit brenda 30 minutash janë të lirë.
Gjebrea u shpreh se Drejtori i Policisë së Qarkut Fier ka komunikuar drejtpërdrejtë dje pasdite me kryetarin e degës lokale të PD, i cili nuk ka ngritur asnjë shqetësim apo pretendim të këtij lloji.
Ajo deklaroi se për çdo incident të ndodhur apo të supozuar se ka ndodhur, duke përfshirë çdo shqetësim të çdo natyre, i bëhet thirrje të gjithë kandidatëve dhe partive politike t’i denoncojnë menjëherë në organet e zbatimit të ligjit, polici ose në Prokurori.
Sipas saj, kjo është e vetmja mënyrë për të kontribuar që zgjedhjet e 21 qershorit të përmbushin standartet më të larta demokratike.
Gjebrea tha se çdo deklaratë politike që bëhet në publik dhe jo pranë organeve të zbatimit të ligjit, synon vetëm panik dhe njollosje të procesit zgjedhor, gjë që nuk duhet t’i shërbejë askujt.
Deklaratat që synojnë baltosjen e punës së Policisë së Shtetit, nuk kontribuojnë aspak për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, u shpreh zv.ministrja, por përkundrazi, vënë në pikëpyetje serioze vullnetin demokratik të vetë deklaruesve për të përmbushur standartet më të larta zgjedhore.
Gjebrea nënvizoi se MPB garanton vendosmërinë për të parandaluar dhe marrë masa ligjore rigoroze ndaj cilitdo që do përpiqet të cenojë procesin zgjedhor dhe për këtë arsye, i bëhet thirrje edhe një herë të gjithë kandidatëve dhe subjekteve politike që të njoftojnë institucionet e zbatimit të ligjit për çdo shqetësim.
Ministria e Punëve të Brendshme, u shpreh ajo, është në kontakt të vazhdueshëm me KQZ dhe me partnerët lokalë e ndërkombëtarë me qëllimin për të garantuar një proces të pastër, në zbatim të plotë të ligjit dhe pa incidente.
“Ministria e Punëve të Brendshme shpreh edhe njëherë qëndrimin e saj të qartë e të prerë, se pritshmëria për rezultatin zgjedhor të cilitdo subjekti politik dhe kandidati, nuk mund e nuk duhet të jetë një shtysë për të njollosur procesin zgjedhor”, deklaroi Gjebrea.
Ajo shtoi se interesi më i lartë i qytetarëve është e mbetet cilësia e procesit dhe përmbushja e standardeve, për të cilën MPB dhe Policia e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht./a.y/noa.al Incident elektoral në Elbasan, kërcënohet aktivistja e PD. Publikohet video Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





