Transmetuar më 19-06-2015, 15:00

Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu ngushëllime në ambasadën e Turqisë në Tiranë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Sulejman Demirel

Ai nënshkroi sot një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, dhe duke folur për mediat vlerësoi kontributin e ish-Presidentit Demirel, duke nënvizuar se ai vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit dhe interesin e demokracisë.

“Është një ditë e vështirë jo vetëm për popullin vëlla turk, por për të gjithë turqit anembanë botës, sepse tashmë është ndarë nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i kombit turk, një burrë i jashtëzakonshëm i shtetit, i cili e meritoi falë sakrificave të tij të panumërta për zhvillimin dhe modernizimin e vendit, për rikthimin dhe zhvillimin e demokracisë, vlerësimin si “babai” i Turqisë, sepse ai përgjatë gjithë jetës së tij, që njohu sakrifica të panumërta dhe shpesh herë të padrejta, vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit, interesin e demokracisë”, tha Meta.

Ai deklaroi më tej se sa herë e dënuan në mënyrë jodemokratike dhe e rrëzuan në mënyrë jodemokratike, ai u ringrit edhe më i fortë falë mbështetjes dhe besimit të popullit turk tek dashuria e tij dhe vizioni i tij për përparimin e Turqisë.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se Sulejman Demirel ishte gjithmonë i orientuar drejt së ardhmes dhe i shërbente asaj.

“Ai ishte një politikan që nuk mbetej kurrë peng i së kaluarës, ishte një politikan që nuk e njihte hakmarrjen, prandaj edhe kanë mbetur të gdhendura në kujtesën e të gjithëve fjalët e tij se dje ishte dje dhe sot është sot. Që tregon se ai gjithmonë ishte i orientuar drejt së ardhmes dhe i shërbente asaj”,  nënvizoi Meta.

Kryetari i Kuvendit, u shpreh se ndarja nga jeta e ish-Presidentit turk, Sulejman Demirel, është një humbje e madhe edhe për kombin shqiptar për të cilin ai tregoi një përkujdesje të veçantë.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Kuvendit, shkruar në Librin e Ngushëllimeve

I përjetshëm qoftë gjithmonë kujtimi dhe vepra madhështore e Presidentit Sulejman Demirel, e këtij burri të madh shteti që bëri aq shumë për Turqinë, por që e deshi dhe mbështeti aq shumë Shqipërinë dhe kombin tonë në ditët më të vështira të krizës së Kosovës.

Ne do ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje dhe dashuri.

Ilir Meta./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd