Transmetuar më 19-06-2015, 14:51

Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al- Ministria e Kulturës denoncon një rast ku sipas këtij institucioni është shkelur ligji nga Bashkia e Tiranës në lidhje me monumentet e kulturës.

Referuar denoncimit të para pak ditëve të kësaj ministrie të prishjes së vilave në qytetin e Tiranës, ku Ministria e Kulturës denoncoi shkeljen e ligjit nga Bashkia e Tiranës, specialistë të IMK dhe të Drejtorisë Rajonale, kanë kryer më tej inspektime në objektet e vendosura në mbrojtje paraprake nga institucionet e trashegimise kulturore, ku rezulton se janë lëshuar leje zhvillimore ndërtimi nga Bashkia e Tiranës pas vënies në mbrojtje të këtyre objekteve.

Konkretisht, Ministria e Kulturës, pas inspektimit në terren dhe verifikimit të objektit në mbrojtje paraprake në rrugën “Shinasi Dishnica”, nëpërmjet një shkrese të datës 19.06.2015, drejtuar Bashkisë së Tiranës, për dijeni Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucionit në marrjen e masave urgjente për të siguruar vendosjen e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në qytetin e Tiranës.

“Rezulton se pas datës 15 korrik 2015 kur u shpall lista e objekteve në mbrojtje, janë miratuar nga Bashkia e Tiranës Leje Zhvillimore Ndërtimi që prekin disa objekte në mbrojtje. Sqarojmë edhe njëherë se çdo veprim në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës ngarkon me përgjegjësi direkte këtë institucion. Ministria e Kulturës, instucionet e saj të specializuara dhe strukturat përgjegjëse të shtetit janë të vendosura të vënë në vend ligjshmërinë dhe mbrojtjen e vlerave unikale të Trashëgimisë Kulturor”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Kulturës.

Në vijim deklarohet se njoftimi për objektin në fjalë i është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës edhe subjekteve ndërtuese të cilat janë po aq përgjegjëse në zbatimin e ligjit.

Më poshtë gjeni shkresë drejtuar Bashkisë së Tiranës, datë 19.06.2015 publikuar nga Ministria e Kulturës, foto e tabelës së ndërtimit dhe pasaportë e objektit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd