
Tiranë, 19 qershor 2015, NOA.al – Në mbylljen e fushatës në Kamzë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka thënë qytetarëve se me votën e tyre më 21 qershor do të hapet një ofertë e re, e cila është oferta e PD-së.
Ai deklaroi se dyshja Rama-Meta zgjodhën Kamzën për të bërë gënjeshtrën më të madhe të 21 qershorit, ku hodhi firmën e mashtrimit për legalizimet falas dhe më pas i shkatërroi, i masakroi, i goditi kundër ligjit me selektivitet, me verbëri e me urrejtje qytetarët.
“Kjo qeveri erdhi para shqiptarëve me premtime se do t’jua bënte jetën më të lehtë. Jeta e shqiptarëve është sot më e vështirë dhe dyshja Rama-Meta e kanë bërë edhe më të vështirë”,- tha Basha.
Ai shtoi se Kamza, Paskuqani e gjithë Shqipëria ju kanë thënë e do t’ua thonë se nuk paguajnë çmime më të ulëta, nuk paguajnë më pak se para 2 vitesh, se nuk jetojnë më mirë se para 2 vitesh.
“Me votën tuaj do ti thoni ndal kësaj qeverie që e ka futur vendin në një krizë të thellë. Me votën tuaj do të hapim një ofertë të re, ofertën e PD për taksën më të ulët në Ballkan, shqiptarët, me të ardhura më të ulëta në Ballkan paguajnë taksa më të larta. Kjo do të ndryshojë me votën tuaj në 21 qershor, ku ne do të ulim me 25% çmimin e energjisë dhe do të falim kamatat. Me votën tuaj, PD e opozita do t’ju vijë në ndihmë familjeve në nevojë sepse për ne 21 qershori është shans për të ndihmuar shqiptarët dhe shqiptaret në vështirësi. Është një mision i madh që nuk e ndal dot oligarkia, që nuk ka zgjidhje për ju”,- deklaroi Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se mazhoranca do të sjellë në Kamzë një kandidat, që ai e cilësoi si ‘xhandar besëprerë të oligarkisë’
“Edhe dy ditë kanë ngelur para se Kamza e Paskuqani të flasin me votë e të zgjedhin njeriun që u ka dalë në krah të halleve tuaja, që çdo fitore të tij e ka kthyer në punë dhe dinjitet. Në krahun tonë është e drejta, në krahun tonë është Amerika, në krahun tonë është Europa”,- tha kreu i Partisë Demokratike. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





