
Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në një miting në sheshin “Nënë Tereza” në mbështetje të kandidatit të “ASHE” për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Meta shprehu bindjen se sipas tij Tirana, kryebashkia, kryeqyteti, do të jetë në krye të fitores më të thellë që është arritur ndonjëherë këtu në 25 vjet
Ilir Meta tha se çdo votë për Erion Veliajn, është një detyrim jo vetëm i tij si kryebashkiak i Tiranës, por i të gjithëve për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e gjithë banorëve të Bashkisë së Tiranës.
“Më 21 qershor e gjithë Shqipëria do të votojë për kandidatët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’, sepse asnjë bashki e asnjë komunitet nuk ka kohë për të humbur, nuk ka arsye përse të jetë peng i moszhvillimit për shkak të konfliktit politik që kërkon opozita e vjetër për fat të keq. Ndaj jam i bindur se Tirana, kryebashkia, kryeqyteti, do të jetë në krye të fitores më të thellë që është arritur ndonjëherë këtu në 25 vjet. Padyshim që ka shumë arsye për të ndëshkuar atë që e la pas dore kryeqytetin për interesat e partisë. Padyshim që ka shumë arsye për t’u ndarë me atë model që fle gjumë dhe gërhet shumë dhe shqetëson Tiranën, përveç gjithë problemeve të tjera. Por nuk është kjo gara jonë. Gara jonë është me pritshmëritë e Tiranës, gara jonë është me pritshmëritë e shqiptarëve të cilët kërkojnë shumë nga ne, të cilët kërkojnë shumë edhe nga Erion Veliaj, ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë më 21 qershor në zgjedhje, pasi çdo votë për Erion Veliajn, është një detyrim më shumë, jo vetëm i tij si kryebashkiak i Tiranës, por i të gjithë neve për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e gjithë banorëve të Bashkisë së Tiranës”, – tha z. Meta.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim i vlerësoi zgjedhjet e 21 qershorit si historike për t’i dhënë një zhvillim të ri dhe një perspektivë të 61 bashkive të vendit.
“Dua t’u them të gjithë qytetarëve të Tiranës, por përfitoj nga rasti për të thënë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, se zgjedhje vendore ka pasur dhe do të ketë çdo katër vjet. Por këto nuk janë si çdo palë zgjedhje. Në 21 qershor ndahen dy epoka, e një Shqipëria me një keqorganizim administrativ e territorial, një pengesë e madhe për të realizuar shërbimet e merituara ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj një pushteti vendor, i paaftë për të bërë politika zhvillimi dhe punësimi në një organizim të ri falë reformës historike, madhore që ne realizuam e cili do të çelë një perspektivë të re për të gjitha komunitetet në të 61 bashkitë e Shqipërisë e në mënyrë të veçantë në Bashkinë e re të madhe të Tiranës. Sepse ne i japim Tiranës një frymëmarrje tjetër, i japim hapësira të reja, i japim mundësi për të ndërtuar parqet e reja që i mungojnë, komplekset e reja sportive që i mungojnë, i japim mundësi për të harmonizuar të gjitha resurset dhe burimet e një zhvillimi të integruar që do të bëjë të mundur jo vetëm që banorët e shumë komunave të deritanishme të mos largohen, por përkundrazi të qëndrojnë atje dhe jo vetëm të përmirësojnë standardet e jetës së tyre, po përkundrazi të gëzojnë të njëjtat shërbime si gjithë qytetarët e Tiranës”, – u shpreh z. Meta.
Në vijim Meta ftoi të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partive të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” që të vazhdojnë fushatën shembullore që kanë zhvilluar anembanë vendit me kulturë, me qetësi dhe me dashuri deri në 21 qershor.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





