Transmetuar më 18-06-2015, 20:46

Tiranë, 18 qershor 2015, NOA.al – Në përmbyllje të fushatës së kandidatit të majtë për Tiranën, Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama është shprehur se për pak ditë do të përfundojë gërhitja e madhe e Tiranës, ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta, e ka cilësuar fitoren e Veliaj si fitoren më të thellë në 25 vite.

Vetë Veliaj deklaroi se do të vijë në krye të Tiranës jo për hakmarrje e revansh, por për të çuar Tiranën në drejtimin e duhur e për t’i dhënë frymë Kryeqytetit.

Veliaj: E duam Tiranën në drejtimin e duhur

“E duam Tiranën në drejtimin e duhur. Për të gjithë ata se po bëhet qameti me fitoren tonë, ju themi se vijmë që t’ju respektojmë, të punojmë me përulje, jo për hakmarrje”,- tha Veliaj.

Ai shtoi se nuk vin në Tiranë për revansh por për të ndryshuar moton nga “Beton, beton beton”, në parqe e gjelbërime. Sipas Veliaj, ai vin në Tiranë për punë, të ndërtojë një unazë të re dhe të lehtësojë trafikun, ti japë Tiranës një masterplan, ti ofrojë Tiranës një hapësirë të re, një mushkëri të re, që të ndërtojë parkun e ri të liqenit.

“Do të kemi një fitore spektakolare 24 me 0 në çdo njësi administrative të Tiranës. Kemi hartuar 24 programe për çdo njësi sipas nevojave. Misioni im është të zgjidhim problemet e vogla që shkaktojnë një dramë të madhe për çdo qytetar. Unë jam këtu për t’ju thënë se vendimet e vështira do t’i marrim bashkë. Para 4 vitesh ne ramë, u penguam në rrugën tonë të zhvillimit. 4 vite kanë kaluar dhe erdhi koha që ashtu siç ramë bashkë, të ngrihemi bashkë. Erdhi koha që Tiranën ta kthejmë në punë. Nëse këto 4 vjet jeni mërzitur,  jeni hidhëruar nga mënyra se si Tirana po futet si plaçkë në furgonin e Lulit, mos u hidhëroni më, pasi të ardhmen e keni vetë në dorë. Më 21 qershor do të mbytim frikën dhe do të kthejmë shpresën në Tiranë”,- tha Veliaj.

Ai deklaroi se është në këtë garë për të gjithë ata prindër që janë të shqetësuar se fëmijët janë 3-4 veta në një bankë. Sipas kandidatit të majtë, me një votë, sjellim në normalitet sistemin arsimor në Tiranë.

“Mos u ankoni më. Ne e kemi vetë në dorë ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur. Ne biem e ngrihemi bashkë. Këtë shpirt do t’ia kthejmë Tiranës më 21 qershor”,- tha Veliaj.

Meta: 21 qershori, fitorja më e thellë në 25 vite

Kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se më 21 qershor e gjithë Shqipëria do të votojë për kandidatët e ASHE sepse asnjë bashki nuk ka kohë për të humbur dhe nuk ka kohë të jetë peng i opozitës.

“Tirana, kryebashkia do të jetë në krye të fitores më të thellë që është arritur ndonjëherë këtu në 25 vjet. Ka shumë arsy për të ndëshkuar atë që la pas dore kryeqytetin për interesat e partisë. Ka shumë arsye për tu ndarë me atë model që fle dhe gërhet shumë por nuk është kjo gara jonë. Ajo është me pritshëmritë e Tiranës, të cilët kërkojnë shumë nga ne dhe nga Erion Veliaj , ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë në 21 qershor në zgjedhje, pasi çdo votë është një detyrim më shumë për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e të gjithë banorëve të bashkisë së Tiranës. Këto nuk janë si çdo zgjedhje. Ne i japim Tiranës një frymëmarrje tjetër”,- tha Meta.

Ai deklaroi se kjo aleancë nuk është bërë për të mundur ata që nuk ekzistojnë në këtë garë, por ASHE është e bashkuar sepse bashkimi bën fuqinë për të bërë ndryshimin e merituar për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë drejtuesit e njësive administrative për të ofruar më shumë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Veliaj do të arrijë një fitore të pashembullt në kryebashkinë e vendit, falë aftësi e të tij të jashtëzakonshme, sepse Erioni ka treguar se është një politikan i talentuar, është një administrator shumë i mirë. Erioni në krye të MMSR bëri si asnjë politikan e drejtues deri më sot, më shumë se kushdo për personat me aftësi të kufizuara, duke u dhënë atyre jo vetëm përkujdesje, por edhe përfaqësi”,- tha ndër të tjera Meta.

Rama: Një gjeneratë e re merr drejtimin e Tiranës. Fund gërhimës

“Një gjeneratë e re është gati të marrë në dorë Tiranën dhe të bëjë në 4 vitet e ardhshme atë që nuk është bërë në 25 vjet të marra sëbashku, përfshirë edhe vitet kur unë kam qenë në krye të bashkisë së Tiranës”,- tha kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, ato vite që kanë mbetur në kujtesën e njerëzve sot janë një eksperiencë për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Rama deklaroi se Erioni sot ka mundësi të bëjë shumë më tepër.

“Kur unë nisa punën për transformimin e Tiranës, kryeministër ishte Meta dhe ishte mbështetja e tij që më dha mundësinë për të bërë startin e parë, ndërsa sot Erioni ka mbështetjen time dhe të Metës e të një aleance sh më të madhe e më të fortë seç ishte në aë kohë”,- deklaroi Kryeministri.

Duke thënë se për pak ditë do të përfundojë gërhitja e madhe e Tiranës, ai deklaroi se  Tirana ka mundësinë të jetë lokomotiva që tërheq gjithë Shqipërinë me vete.

“Fundi i gërhimës së madhe dhe fillimi i punës së madhe për Tiranën, është një arsye legjitime që ne sot të jemi të ekzaltuar edhe pas një fushate që ka qenë model”,- u shpreh kreu i PS-së. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd