Transmetuar më 18-06-2015, 19:56

Shkodër, 18 qershor 2015, NOA.al – Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin përmbyllës në Velipojë, ka ftuar qytetarët të votojnë Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe kandidaten e tij në Shkodër, sepse nga kjo zgjedhje nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por do të fitojnë edhe ata që janë demokratë.

“Ka rëndësi të madhe që Shkodra të zgjedhë kandidaten tonë sepse nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por do të fitojnë ata që janë demokratë pasi kuptohet, e kam fjalët për njerëzit e zakonshëm. E kam fjalën për ata të cilët janë demokratë, por nuk janë pjesë e familjeve të mëdha të PD-së që e mbajtën Shkodrën peng për vite të tjera dhe që e katandisën në një pikë ku realisht Shkodra nuk e ka merituar kurrë”,- tha Rama.

Ai sqaroi se flet për demokratët, të cilët në 21 qershor do të duhet të bëjnë një zgjedhje midis nevojave dhe problemeve që shqetësojnë familjen e tyre, jashtë mureve të shtëpisë, qoftë në qyteti, qoftë këtu në Velipojë, qoftë në të gjithë territorin e bashkisë së re të Shkodrës,

Ai theksoi se Velipoja është një territor strategjik për zhvillimin urban, ekonomik dhe social të Shkodrës.

“Një arsye tjetër pse ne erdhëm sot këtu është, sepse Velipoja për ne në këndvështrimin tonë është një territor strategjik për zhvillimin urban, ekonomik dhe social të Shkodrës dhe unë kam kënaqësinë që t’ju them se për herë të parë në historinë e vet, Velipoja, në këtë sezon do të ketë ujë 24 orë”,- premtoi Rama.

Kreu i PS-së ftoi qytetarët e Shkodrës të votojnë programin e kandidates së ASHE-së, që sipas tij ka një ndër programet më të detajuara dhe do të gjejë veten çdo shkodran që nuk vë interesat e SHQUP-it mbi interesin e familjes së vet.

Gjithashtu, z. Rama renditi edhe disa nga projektet infrastrukturore për të cilat qeveria angazhohet të investojë në Shkodër.

“Ne ndërkohë po shqyrtojmë edhe projektin e rrugës së re që do të lidhë Shkodrën me Velipojën, ashtu sikundër kemi filluar edhe diskutimet me qeverinë e Malit të Zi për të bërë një punë të përbashkët për të forcuar lidhjen me infrastrukturë, por jo vetëm në infrastrukturë, midis kësaj ane të kufirit dhe asaj ane të kufirit, midis Velipojës dhe Ulqinit dhe nga ana tjetër jemi shumë të vendosur që t’i japim një nxitje të madhe zhvillimit urban, ekonomik dhe social, që nga bregdeti këtu deri lart në Alpe”,- tha deklaroi z. Edi Rama. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd