



Kukës, 18 qershor 2015, NOA.al – Personi që për policinë konsiderohet kyç në atentatet me tritol, sidomos ndaj farmacisë së familjes së ministrit të Brendshëm, është arrestuar pasditen e sotme. Në foto shikoni të dyshuarin pas arrestimit.
Vladimir Gjuta, u kap në tunelin e Kalimashit ndërsa udhëtonte në drejtim të qytetit të Kukësit.
Gjuta akuzohet se është organizatori i dy shpërthimeve, një në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Bashkim Tahirit si dhe një eksplozivi tjetër që ngeli i pashpërthyer në rrugën “Vasil Shanto”.
Policia thotë se Vladimir Gjuta u arrestua ndërsa po udhëtonte me mjetin tip Opel ngjyrë gri, me targa Kosove, në shoqërinë e një shtetasi shqiptar nga Kosova.
Policia tha se Vladimir Gjuta është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Spektakolar” nga reparti RENEA dhe Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe do të dërgohet në drejtim të Tiranës nën masa të rrepta sigurie. Ai do të mbahet në dhomat e paraburgimit në drejtorinë e Policisë Tiranë.
"Gjuta ishte nisur nga një qytet i Shqipërisë drejt Kukësit për në Kosovë", – tha policia pa specifikuar nga kishte nisur udhëtimin i shumëkërkuari.
Rreth orës 20:10 Gjuta ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës./a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





