Transmetuar më 18-06-2015, 18:14

Tiranë, 18 qershor 2015, NOA.al – Partia Demokratike ka shtruar sot tre pyetje kundrejt kandidatit të majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

“ Sa shtëpi ke? Ku jeton? Ku i mori paratë për vilën dhe shtëpitë?”,- pyet PD z. Veliaj. Partia më e madhe në opozitë kujton se në deklaratën e pasurisë në 2013 Erion Veliaj thotë se ka shitur një shtëpi 50 metër katrorë pranë Pazarit të Ri dhe me të njëjtën sasi parash ka blerë një shtëpi 110 metër katrorë në rrugën “Hoxha Tahsim”  dhe kontrata e shitblerjes është në të njëjtën ditë që Erion Veliajt është betuar si ministër.

“ Deklarata e pasurisë nuk ka ndryshim as në vitin 2014, por në emisionin “Opinion”, Erion Veliaj thotë se nuk e ka shitur shtëpinë garsoniere, pra prej 50 metrash katrorë pranë Pazarit të Ri. Ai tha se jeton në një shtëpi 140 metër katrorë, pranë Andi Bushatit te Kodra e Diellit, pra një shtëpi tjetër nga ajo që është deklaruar nga Erion Veliaj në deklaratën e pasurisë. Dokumentet tregojnë edhe se Erion Veliaj ka prenotuar një vilë 200 mijë euro në Mullet. Sa herë ka folur për shtëpinë ka dhënë një version ndryshe”,- thotë Partia Demokratike.

Sipas PD, Erion Veliaj duhet të përgjigjet dhe të bëjë transparencë për fondet publike, për dasmën, për lidhje me Dzanashvilin, për lidhjet  me  Bechettin, për fondet e fushatës.

“Erion Veliaj nuk është vetëm mashtrues, por ka përfituar nga fondet publike dhe nuk është transparent. Ai gënjen dhe fsheh, këtij nuk i besohet”,- përfundon deklarata e PD-së. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd