Transmetuar më 18-06-2015, 16:51

Deputeti socialist Koço Kokëdhima duket se ka goditur sërish në shenjë duke avokatuar në Qeveri për të drejtën e fshatarëve të Xarrës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilëve iu përmbyt toka e dhënë me ligjin 7501 nga shkatërrimi i sistemit të bonifikimit.

Koço Kokëdhima ka arritur në një vendim qeveritar, i cili do t’iu japë fshatarëve tokë me sipërfaqe të njëjtë me tokën e tyre, brenda 10 ditëve nga bërja e kërkesës, me një qira 1 euro në vit për 30 vjet.

Kokëdhima ka dhënë detaje sot mbi këtë VKM:

“Vendimi i qeverisë nr. 525 i dt 16/6/2015 zgjidh problemin e tokave bujqësore të përmbytura në Xarrë, për më shumë se 50 familje. Këto familje përfituan rreth 59 ha tokë bujqësore nga ligji 7501. Kjo tokë u përmbyt nga shkatërrimi i sistemit të bonifikimit. Për vite me radhë fshatarët nuk e zgjidhën dot problemin e tyre. Me vendimin nr. 525 të Këshillit të Ministrave, këtyre fshatarëve dhe të gjithë fshatarëve të tjerë në Shqipëri që kanë situatë të ngjashme me fshatarët e Xarrës, u jep një tokë shtetërore me sipërfaqe të njëjtë, me qira 1 euro në vit për një periudhë prej 30 vjetësh. Procedura kryhet brenda 10 ditësh nga bërja e kërkesës së fshatarëve pranë Ministrisë së Bujqësisë”.

Pasi mësuan këtë vendim, entuziazmi dhe besimi kanë përshkuar xarriotët të cilët nuk kanë mundur të punojnë tokat e tyre për kaq e kaq vite.

Ata thonë se ky vendim ka çelur shpresën edhe për fshatarët e zonave të tjera në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, që kanë vuajtur e vuajnë nga të njëjtat rrethana.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd