Transmetuar më 18-06-2015, 13:54

Tiranë, 18 qershor 2015, NOA.al- Erion Veliaj, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës thotë se pas 21 qershorit, motoja për Tiranën do të jetë një qytet ku u shërbehet të gjithëve me integritet, dinjitet dhe respekt.

Në fjalën e mbajtur në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të Frymës së Re Demokratike, paraditen e sotme, Veliaj u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi dhe mbështetja me FRD-në, duke nënvizuar se në katër vitet e ardhshme Tirana meriton më mirë dhe më shumë.

“Unë ju shtrij dorën sot dhe ju hap zemrën për një bashkëpunim që është për interes të qytetit. Unë nuk besoj se ka militantë të majtë apo militantë të djathtë, të cilët thonë punë e madhe që janë bërë plehrat, por vetëm të rrojë partia. Nuk besoj se ka militantë të majtë ose militantë të djathtë, të cilët thonë punë e madhe që fëmija im shkon në shkollë me dy turne, por vetëm të rrojë partia. Nuk besoj se ka fanatikë të majtë ose fanatikë të djathtë të cilët thonë, punë e madhe që nuk ka ndriçim, punë e madhe që pusetat janë hapur, punë e madhe që shitet ushqim për njeriun aty ku kalon miu nëpër tregje, por vetëm të rrojë partia. Nuk ka!”, tha Veliaj.

Ai shtoi më tej se Tirana është një qytet ku prej katër vitesh njerëzit trajtohen si ‘ca të nënës e ca të njerkës’, dhe nëse një kryetar i ardhshëm i bashkisë do duhet të kishte një manual si duhet të jetë një kryetar i ardhshëm i bashkisë, që i bashkon dhe nuk i përçan njerëzit, mjafton të shikojë pesë vitet e punës së ish-Presidentit Bamir Topi, që sipas tij i bashkoi dhe nuk i përçau shqiptarët./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd