Transmetuar më 18-06-2015, 13:24

Tiranë, 18 qershor 2015, NOA.al- Partia Demokratike akuzon kreun e qeverisë Edi Rama, se merr në mbrojtje kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini për shantazh ndaj gazetarëve.

Deputeti dmeokrat Genc Pollo në një dalje për mediat ditën e sotme, deklaroi se pas denoncimit të video- shantazhimit ndaj gazetarëve e mediave, pritej reagimi i Kryeministrit, duke nënvizuar se një Kryeministër normal europian do e dënonte aktin, sidomos të vartësit partiak, e ndoshta mund ta tërhiqte nga gara.

“Thamë se besonim se Edi Rama, si përherë në kësi rastesh, do të bënte syrin qorr e veshin shurdh. Por u gabuam me të dy parashikimet pasi Rama as nuk qortoi satrapin lokal që ka ngulur në Elbasan dhe as nuk heshti që skandali të harrohej. Edi Rama, publikisht, me zë e figurë, e mori në mbrojtje Qazim Sejdinin, duke u dëshmuar sërish se është ai frymëzuesi i shantazhimit të medias dhe rreziku kryesor i lirisë së shprehjes.

Ky qëndrim i Edi Ramës është prova direkte me zë e figurë nga niveli më i lartë se në rang vendi me kapjen e rregullatorit AMA e ndarjen antiligjore te frekuencave numerike, me kërcënime e tatime, me  joshje e arrestime, me asfiksime e sekuestrime regjimi censurë Rama-Meta ka futur tashmë në vathë shumicën e mediave në këtë vend. A ka më njeri këtu që nuk e vëren instalimin në progres të putinizmit?”, u shpreh Pollo.

Ai deklaroi se i inkurajuar nga mbrojta e Edi Ramës, “satrapi lokal” i PS Qazim Sejdini, ustai i kulaçit e kërbaçit,  po heton privatisht që të gjejë e të ndëshkojë se kush e nxori zbuluar.

Pollo e cilësoi si modelin e regjimit censurë Rama-Meta, duke thënë se Qazim Sejdini thjesht po ndjek me fanatizëm e kënaqësi stilin e shefave të tij.

Deputeti demokrat përshëndeti dënimin ndaj aktit censurë të Qazim Sejdinit nga dy shoqatat e gazetarëve të Shqipërisë.

Gjithashtu ai falenderoi ambasadën e SHBA-së për dënimin ditën e djeshme të kërcënimit e intimidimit ndaj mediave e qëndrimin e ambasadës  në mbrojtje të lirisë së medias.

Pollo tha në mbyllje se Partia Demokratike do të mbrojë lirinë e medias dhe të drejtat e çdo gazetari në ketë vend si një gur themeli të demokracisë tonë./a.y/noa.al Del video ku kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini i bën presion gazetarëve

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd