
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u arrestua nga Policia e Shtetit më 10 mars 2013. Ai u përball me tre akuza për konsumim e veprave penale “Goditjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mos bindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.
Arrestimi erdhi pasi sipas policisë, gjatë ndeshjes Besa-Tirana, të luajtur në Kavajë, kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, ka zbritur në dhomat e zhveshjeve dhe ka goditur trajnerin e Tiranës, Nevil Dede.
Ekipi i Tiranës bëri kallëzim penal për të dyshuarin. Pas kallëzimit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u mor masa e arrestit ndaj Kryetarit të Bashkisë Kavajë, shtetasit Elvis Rroshi.
Arrestimit të Rroshit, z.Edi Rama i kushtoi një editorial që e gjeni të plotë këtu, ku shprehej mes të tjerash se “nuk ka pikë dyshimi se nëqoftëse Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajes, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Dedën, trajnerin e Tiranës, kjo është e pajustifikueshme. Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje”.
Rama në reagimin e tij, i kërkonte z.Rroshi “t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut”, duke theksuar më tej se “fatkeqësisht lajthitje të kësaj natyre janë bërë të herëpashershme në stadiumet tona dhe ndjesa publike e Elvis Roshit do të ishte një hap i duhur, drejt ndryshimit të domosdoshëm të klimës ku luhet futbolli në Shqipëri”.
Nga ana tjetër, z.Rama kritikoi dhe atë që e cilësoi sjellje të patolerueshme të policisë, që e arrestoi dhe e mbajti në paraburgim.
“S’ka mundësi ta justifikosh Elvis Roshin nëse ka zbritur në dhomën e zhveshjes së skuadrës mike, për t’u kapur me Nevil Deden pas çfarëdo provokimi publik që mund të ketë bërë ky i fundit. Por është jashtëzakonisht e rëndë për shtetin e shoqërinë që lufta politike ta degjenerojë deri në këtë fare feje misionin dhe funksionin e Policisë së Shtetit. E cila duke u turrur qorrazi pas Elvis Roshit pa asnjë arsye që lidhet me ligjin e me rolin e saj, na ka dhënë provën e humbjes së toruas së pushtetit në rrugën drejt humbjes së pashmangshme të 23 qershorit”, – shprehej z.Rama për arrestimin e z.Rroshi.
Një ditë më parë në intervistë televizive, z.Rama u pyet nëse ka njerëz të arrestuar, apo të dënuar në radhët e përfaqësuesve të PS dhe kandidatëve të saj.
Z.Rama mohoi që të kishte persona të dënuar, kurse nuk u shpreh nëse ka njerëz të arrestuar. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





