Transmetuar më 18-06-2015, 09:18

Ndërsa kryebashkiaku i Durësit bën xhiron e televizioneve ku përsërit refrenin se qyteti i tij nuk po përmbytet vitet e fundit, faktet flasin ndryshe: Rrugët në mes të Durrësit u përmbytën dje nga pak minuta shi dhe një djalë 15 vjeçar gjeti vdekjen pikërisht për shkak të reshjeve.

Në rrugën e përmbytur nga reshjet e shiut, i mituri ra në kontakt me energjinë elektrike të një kabulli të rrëzuar në rrugë. Në foto shikoni pamje nga vendngjarja, ku ambulanca druhej të tërhiqte trupin e të miturit për shkak të kabullit elektrik që i mori jetën 15-vjeçarit A.K.

Adoleshenti ka vdekur menjëherë. Sipas policisë djaloshi nga lagjja nr 17, ishte duke u kthyer në banesën e tij.

Policia tha se si pasojë e lagështirës nga përmbytjet e sotme, djali është përshkuar nga rryma elektrike, duke gjetur vdekjen në vend.

Pas apelit të policisë për identifikimin e viktimës që nuk kishte asnjë dokument me vete, familjarët janë paraqitur në morg, ku kanë mësuar fatkeqësinë.

Ndërkohë situatë e vështirë për shkak të përmbytjeve në Durrës, paraqitej në lagjet 16 dhe 18 si dhe në zonën e ish-Kënetës.

Pranë “Stacionit të Trenit”, makinat ishin bllokuar dje në rrugën e pushtuar nga uji, ndërsa një pjesë e qytetit është pa energji elektrike. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd