Transmetuar më 17-06-2015, 18:40

Me rastin e muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë kanë marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Kreu i shtetit në letrën e tij uron për agjërim të lehtë, në muajin e sakrificës e reflektimit. “Ju uroj nga zemra dhe me gjithë shpirt këtë rit me rëndësi të pallogaritshme, këtë Festë, e cila prej shekujsh lartëson shpirtrat dhe kthjellon mendjet e miliona besimtarëve në mbarë botën, këtë mrekulli sa qiellore dhe tokësore, sa të bukur dhe të dobishme!” – shkruan në mesazhin drejtuar myslimanëve shqiptarë, Presidenti Nishani.

Mesazhi i plotë:

“Të dashur besimtarë myslimanë, praktikantë ose jo, si dhe të gjithë Ju që besimin mysliman e respektoni:

Nesër është një ditë e veçantë.

Nesër nis muaji i sakrificës dhe reflektimit, muaji i Ramazanit.

Ju uroj nga zemra dhe me gjithë shpirt këtë rit me rëndësi të pallogaritshme, këtë Festë, e cila prej shekujsh lartëson shpirtrat dhe kthjellon mendjet e miliona besimtarëve në mbarë botën, këtë mrekulli sa qiellore dhe tokësore, sa të bukur dhe të dobishme!

Ramazani është Festa që realizon lidhjen mes sakrificës së vullnetshme hyjnore me efektet pozitive tokësore të asaj sakrifice.

Duke i bërë besimtarët, dhe jo vetëm ata, që të harrojnë dasitë e përditshmërisë, Ramazani mundëson gjithçka që lypset për një jetë normale, dinjitoze; afron njerëzit, rrit vetëdijen mbi detyrat dhe të drejtat, sjell në vëmendje vlerat njerëzore, afron të mirat, ndjeshmërinë, mëshirën, dhembshurinë, dashurinë, largon të këqijat, veset, hilet, zënkat, sherret, por më së shumti afron secilin njeri veç e veç dhe të gjithë njerëzit bashkë me Zotin.

Janë të panumërta dhe të pakrahasueshme të mirat që sjell Ramazani.

Duke na bërë më të ndjeshëm dhe më të dashur, Ramazani na jep rastin të shtojmë vetëkontrollin, të frenojmë emocionet, të shohim çfarë nuk shkon në jetët tona, ku i kemi defektet, të shtojmë syçelësinë ndaj shembujve të këqij që t’i ndreqim, si dhe të shohim ku i kemi shembujt e mirë e të dobishëm që t’i inkurajojmë që të shpeshtohen.

Ramazani e bën pra njeriun më të mirë, më të butë, më të kujdesshëm, më të vëmendshëm ndaj vetes dhe gjithë të tjerëve.

Ju uroj Ramazan të lehtë, mendje të kthjellët, shpirt të kulluar!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd