Transmetuar më 17-06-2015, 14:31

Tiranë, 17 qershor 2015, NOA.al- Ashtu si prej disa ditësh Partia Demokratike hedh dyshime dhe kërkon transparencë për fushatën e kandidatit të majtë për Tiranën, Erion Veliaj, edhe sot publikoi shifra të reja.

Deputeti Gerti Bogdani duke folur sot për mediat nga selia blu tha se shkon në 1 milionë e 346 mijë euro shpenzimi i kandidatit të Ramës për spote televizive, deri më 15 qershor. Ai tha se Veliaj nuk bën asnjë transparencë se nga vijnë këto para dhe se sa më shumë afron 21 qershori, aq më shumë shtohen shpenzimet e dëshpëruara të kandidatit rilindas për Tiranën, për spote e reklama televizive.

Sipas tij, deri më datë 15 qershor, Erion Veliaj ka shpenzuar 1 milionë e 346 mijë euro.

“Nga denoncimi ynë i parë për 1 milionë e 144 mijë euro, shifra për dy ditë është rritur 202 mijë euro. 202 mijë euro për dy ditë shpenzon Erion Veliaj vetëm për spote, ndërkohë që mijëra familje në Tiranë e në mbarë vendin mezi mbyllin muajin dhe janë zhytur në borxhe për bukën e gojës. Veliaj deklaroi publikisht një javë më parë se ka vetëm 108 milionë lekë të vjetra për fushatë. Por faktet flasin ndryshe!”, tha Bogdani.

Ai shtoi më tej se Erion Veliaj nuk duhet të vazhdojë të fshihet dhe e ka për detyrim moral dhe ligjor të bëjë transparencë.

Deputeti demokrat shprehu besimin se qytetarët e Tiranës e kanë të qartë këtë gjë dhe më 21 qershor do të marrin vendimin e duhur dhe do t’i japin gjykimin e duhur.

“Edhe 4 ditë! Sepse nuk mund t’i besojmë votën dhe të ardhmen një njeriu që punën e bazon vetëm në reklama dhe reklamat vetëm në gënjeshtra”, u shpreh në mbyllje Gerti Bogdani./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd