







Tiranë, 17 qershor 2015, NOA.al- Partia Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën se të mbërthyer nga ankthi i humbjes së zgjedhjeve, po intensifikojnë shkeljet e ligjit dhe aktet e rënda të cenimit të standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Zëdhënësja e demokratëve Oriela Nebiaj në një dalje të sotme për mediat tha se këto akte të frymëzuara e të porositura nga dyshja Rama-Meta vijnë prej frikës e dëshpërimit në prag të ballafaqimit me votën e popullit me 21 qershor.
Ajo deklaroi se në minibashkitë e Tiranës të drejtuara nga socialistët, konkretisht në qendrën e votimit 1683 dhe 1683/1, janë regjistruar 278 votues, të cilët banojnë në lulishte.
Sipas saj, vendi i banimit të këtyre banorëve është zyrtarisht me letra, një lulishte dhe për të faktuar fjalët e saj, ajo publikoi një hartë të cilën e gjeni më poshtë.
Në Kolonjë strukturat e PS dhe LSI janë sulur me kamionë me ndihma, dhe në mes të qytetit shpërndajnë miell e vaj në këmbim të votave, deklaroi Nebiaj, duke publikuar fotografi që sipas saj e dëshmojnë diçka të tillë.
Ajo tha se Vora mbetet kampione e shkeljes së ligjit, ku strukturat shtetërore dhe kriminale të Ilir Metës kanë rrethuar shtabin e kandidatit demokrat Fiqiri Ismailaj, ku shantazhohet e shoqërohet çdo qytetar që hyn e del nga aty, ndërkohë që ende nuk ka asnjë masë për shefin e komisariatit i cili është kallëzuar penalisht për përfshirje në fushatën e Ilir Metës e për abuzime e shkelje.
Ajo shtoi më tej se në Durrës, personat e shpallur në kërkim nga policia për ngjarjet e rënda në Sukth, janë çdo ditë në krah të kandidatit Vangjush Dako në takimet e tij elektorale.
“Kemi këtu, dy raste flagrante; Nënkomisari Artan Alinani në Sarandë, dhe në foton tjetër, oficeri i policisë, shef i linjave, Shkëlqim Bello, të dy në krah të kandidatit të qeverisë për Delvinën, Rigers Balili. Ja një zyrtare e lartë e Interpol Tirana, Irma Bime, e përfshirë në mënyrë shumë aktive në fushatën e Erion Veliajt në Tiranë, e cila shfaqet në dhjetëra foto të takimeve të kandidatit të Ramës”, u shpreh Nebiaj.
Ajo tha më tej se këto raste janë shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor dhe e standardeve të zgjedhjeve, ndaj i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë dhe të garantojë zbatimin e ligjit dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Gjithashtu Nebiaj kërkoi nga ambasada e SHBA, OSBE-ODIHR dhe përfaqësuesve të vendeve të BE, të rrisin monitorimin e të regjistrojnë këto ngjarje që dëmtojnë standardet e zgjedhjeve.
Zëdhënësja e demokratëve e mbylli qëndrimi ne saj duke thënë se asgjë nuk do ta pengojë vullnetin e shqiptarëve, ndëshkimin me votë të dyshes Rama-Meta e kandidatëve të tyre dhe se asgjë nuk e ndal fitoren e sigurt të Partisë Demokratike./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





