Transmetuar më 17-06-2015, 13:37

Tiranë, 17 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaron se fitorja më e thellë në të gjithë Shqipërinë do të jetë në Bashkinë e Vorës dhe në këtë bashki premtoi një ose disa mundësi punësimi.

Kjo deklaratë e tij u dha në një takim elektoral të djeshëm në Marikaj, pjesë e Bashkisë së re të Vorës në mbështetje të kandidatit të ASHE, Luan Sallaku.

“Këtu ku mundësitë për punësim kanë qenë dhe janë të jashtëzakonshme, ashtu siç ju i keni produktet tuaja që prodhoni bio, edhe ne votat i duam vetëm bio në 21 qershor”, tha Meta duke shtuar se votat e fitores do të jenë vota besimi.

“Ne nuk duam 4 vjet, ne duam të na provoni 2 vjet deri në 2017. Vetëm një kusht kemi ne për ata, që të parët që do të punësohen  do të jenë nga komuniteti i Vorës. Ky është i vetmi kusht. Ne do të hapim shkolla profesionale. Edhe përsa i takon industrisë, edhe përsa i takon bujqësisë dhe agroturizmit. Në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të marrin formimin e duhur profesional për të bërë me aftësi një punë e cila do t’u garantojë mirëqenien dhe begatinë e familjes”, u shpreh Meta.

Ai deklaroi se koalicioni i majtë do e kthejë Vorën në modelin më të shkëlqyer në Shqipëri të transformimit të ndryshimit të shërbimit ndaj komunitetit dhe të punësimit të çdo banori.

Nga ana e tij kandidati i ASHE-së, Luan Sallaku garantoi banorët e Marikajt dhe të gjithë bashkisë së re se punësimi do të jetë fokusi i axhendës së tij.

Në vijim kryetari i LSI mori pjesë në panairin e Agroturizmit në Kalanë e Prezës, pjesë e Bashkisë së re të Vorës.

Lideri i LSI-së shprehu mbështetjen për promovimin e këtyre produkteve dhe garantoi se në muajt dhe në vitet që vijnë, vëmendja dhe interesi i turistëve për kalanë e Prezës, por edhe për të gjithë bashkinë e re të madhe të Vorës do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.

“Unë edhe një herë tjetër dua të deklaroj se brenda dy viteve për ne, çdo banori të Prezë, të Vorës dhe të Bërxullit do të jetë krijuar një ose disa mundësi për punë. Do të jetë krijuar mundësia për formime profesionale dhe jo vetëm kaq, por ne do të nxisim në mënyrën më transparence investitorë të rëndësishëm vendas dhe të huaj për të realizuar investime afatgjata dhe strategjike në këtë zonë”, u shpreh Meta.

Ai deklaroi se votat për koalicionin e majtë dhe kandidatin Luan Sallaku janë vota për të ndihmuar njerëzit pa dallim politik./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd