
Shqipëria është e nënta në listën e zezë të 10 vendeve që i kanë dhënë më shumë luftëtarë IS-it, në raport me popullsinë. Situatë e rënduar shfaqet edhe në Kosovë, sugjeron raporti i OKB që e rendit të katërtën në 26 vende furnizuese
Një raport i bërë publik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara evidenton se janë rreth 400 shqiptarë që luftojnë nën flamurin e zi të Shtetit Islamik.
Sipas raportit, në Ballkan, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria janë tre ndër vendet furnizuese me luftëtarë mes 10 vendeve që kanë më shumë shtetas në Siri dhe Irak në raport me popullsinë, raportoi sot IBNA.
Raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara thotë se shqetësuese është rritja e paparashikueshme e numrit të personave të rreshtuar në radhët e IS.
Nëse në shtator të vitit të kaluar numëroheshin rreth 15 mijë luftëtarë te huaj, në fund të majit të këtij viti kjo shifër arriti në 25 mijë persona të huaj që luftojnë për krijimin e Kalifatit, duke e rritur këtë shifër me 71% për qind më shumë luftëtarë të huaj në 8 muaj.
Ajo që spikat është afrimi tek IS edhe i shumë qytetarëve nga vende të zhvilluara të BE, përfshirë ato nordike.
Renditja e Shqipërisë dhe Kosovës
Në raport, mes numrit të popullsisë dhe numrit të luftëtarëve radikalë, rezulton se Shqipëria renditet i nënti mes “Top 10” të 26 vendeve nga ku rezulton se janë rekrutuar luftëtarë.
Raporti i OKB evidenton se Shqipëria ngjitet më lart dhe në krahasim me vende shumice të fortë myslimane si Maroku, Turqia apo Kuvajti.
Situatë e rënduar shfaqet edhe në Kosovë, sugjeron raporti i OKB.
Shokët e Lavdërim Muhaxherit kanë bërë që Kosova të renditet në vendin e katërt në botë për sa i përket luftëtarëve që janë rreshtuar me IS në raport me popullsinë e saj, me rreth 232 luftëtarë.
Përveç alarmit për numrin e lartë të ekstremistëve në raport me popullsinë, shqetësues është edhe shtimi i elementëve radikalë në vend.
Pjesëmarrja e lartë e shtetasve nga Shqipëria, Kosova dhe FYROM në radhët e Shtetit Islamik ka sjellë dhe një rrezik të shtuar për akte terroriste.
Nga shërbimi sekret i Kosovës një ditë më parë u bënë publike disa informacione për akte të mundshme terroriste në Kosovë dhe Maqedoni të porositura nga shqiptarët e këtyre krahinave. /ibna/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





