Transmetuar më 16-06-2015, 11:16

Kukës, 16 qershor 2015, NOA.al- “I them nga Kukësi Edi-Sudes që ka ngritur piramidën më të madhe të mashtrimeve. Me që më në fund e pranove se Basha ka thënë të vërtetën, çfarë të pengon të ulësh taksat, çmimin e energjisë, naftës, ta bësh bukën e gojës 20% më të lirë për shqiptarët. Pse nuk e bën? Pse nuk bashkon dhe ti zërin tënd me zërin tim për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve dhe popullit? Ju e dini fare mirë përgjigjen, se hallet tuaja nuk kanë qenë kurrë prioritet i dyshes Rama- Meta”.

Ishin këto fjalët e kryedemokratit Lulzim Basha në një takim elektoral në Kukës, paraditen e sotme në mbështetje të kandidatëve demokratë për Kukësin, Hasin dhe Tropojën.

Kreu i PD deklaroi se dyshen Rama- Meta e ka zënë ankthi dhe paniku, jo për hallet e qytetarëve por për pushtetin që duhet ta ruajnë me çdo çmim në 21 qershor.

Ai ftoi qytetarët, të djathtë e të majtë që të votojnë për të ndalur të keqen dhe për të punuar për familjet shqiptare.

Sipas kryedemokratit, synimi i kundërshtarëve politikë është të kapin ç’të kapin dhe të manrrin ç’të mundin.

Basha tha më tej se tani që ora e ballafaqimit dhe të vërtetës po vjen, Rama- Meta po bëjnë gjithçka për ti ikur ballafaqimit me qytetarët, sepse nuk kanë asnjë ofertë dhe se oferta e tyre e vetme është kapja e pushtetit vendor.

“Për interesat e tyre janë gati të braktisin çdo interes si Halim Meta në Kukës, që pasi shpërdoroi në skema korruptive ndryshoi xhaketën dhe u fut në strehën e fundit të maskarenjve, në shkëmbim të favoreve politike. Halim Meta nuk ka përgjigje për hallet tuaja, sepse Halim Meta është problemi juaj. Ju do e zgjidhni me votë këtë problem duke i thënë jo vjedhjes, jo korrupsionit, po Bashkim Shehit dhe PD”, u shpreh Basha.

Ai deklaroi se tre kandidatët e majtë në Kukës, Has e Tropojë i bashkon dashuria dhe lakmia për paratë dhe pasuritë e qytetarëve dhe se paktin kanë që të zhvasin e rrjepin për llogari të oligarkisë.

Sipas liderit demokrat tre kandidatët e së djathtës kanë firmosur një pakt për të ulur taksat, për të rritur shërbimet, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, me aftësinë, përkushtimin dhe dinjitetin që i karakterizon si njerëz të shërbimit.

“Vota juaj për PD ju jap fjalën, është vota e një beteje pa kthim, për uljen e çmimit të energjisë, rritjes së rrogave dhe pensioneve, kthimin e ndihmës ekonomike për gjithë ata që kanë nevojë për bukën e gojës dhe u hoqën pa të drejtë”, tha ndër të tjera Lulzim Basha./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd