



“Aleanca për Shqipërinë Evropiane” zhvilloi një miting për të përmbyllur fushatën elektorale në Lezhë. Së bashku me kandidatin e “ASHE”-së për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj ishin edhe kreu i PS-së, z. Edi Rama, deputetët Monika Kryemadhi, Arben Ndoka dhe Gjovalin Kadeli.
Duke marrë fjalën gjatë këtij mitingu, znj. Kryemadhi tha se populli i Lezhës e ka bërë zgjedhjen e duhur dhe ka marrë drejtimin e duhur për një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt ashtu siç e meritojnë lezhjanët.
Deputetja e LSI-së vlerësoi angazhimin maksimal të qeverisë në këto 18 muaj në qytetin e Lezhës për t’i dhënë zgjidhje disa prej probleme akute që kanë banorët.
“Në zgjedhjet e 2013 mora mandatin e deputetes nga ky qark, por gjatë fushatës elektorale shikoja se si vuajtjet, problemet, zvarritjet e njerëzve kudo nëpër komuna, nëpër institucionet dhe zyrat e shtetit ishin bërë gangrenë dhe kalvar vuajtjesh për qytetarët dhe për banorët e gjithë komunave të Lezhës”, – u shpreh znj. Kryemadhi, duke shtuar se në 18 muajt e fundit në këtë bashki nuk është bërë sa është bërë në 25 vjet në Bashkinë e Lezhës dhe se me reformën e re Lezha do të bëhet një qytet evropian me infrastrukturë moderne.
Gjithashtu, znj. Kryemadhi tha se problemet më madhore vijnë nga fshatrat që do t’i bashkohen bashkisë së madhe të Lezhës.
Më tej, ajo tha se pas zgjedhjeve të 2013-s janë zhbllokuar dhe vënë në funksion 50 kilometra kanale kulluese, duke bërë që fermerëve të mos u përmbyten më të mbjellat.
Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se qeveria ka mbështetur totalisht kryebashkiakun aktual të Lezhës, z. Tushaj dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Z. Rama deklaroi se në Lezhë ka ndodhur një transformim spektakolar që ka bërë Lezhën një nga realitetet më transformuese të Rilindjes Urbane.
Kryetari i PS-së nënvizoi se qytetarët e Lezhës do të jenë krenarë që janë qytetarë të kësaj bashkie dhe këtë krenari të rikthyer qytetarët e Lezhës duhet t’ia dinë për nder, Viktor Tushajt.
“Ne së bashku me Ilir Metën, nuk kemi dalë për të bërë politikë kundër kundërshtarëve tanë, apo për të bërë bilancin e qeverisjes tonë, që sigurisht do ta bëjmë në fund të mandatit, por kemi dalë për të thënë se përse votohet në këto zgjedhje. Kemi dale që komunitetet të dëgjojnë nga ne që komunitetet të dëgjojnë që ne mbështesim çdo projekt që kandidatët tanë kanë për çdo bashki”, tha z. Rama.
Ndërkaq, kandidati i “ASHE”-së për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj tha se Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi falë këtij investimi të siguruar nga qeveria zvicerane dhe banka gjermane dhe se sheshi administrativ nga një parking ndotës është kthyer në një shëtitore që zien çdo mbrëmje nga qytetarët dhe shumë shpejt do të bëhet vendi i takimit të artistëve, teatër kulture apo vend i panaireve të biznesit, etj.
“Kush mendonte se Lezha do të kishte një ujësjellës që do t’i garantonte furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të gjithë banorëve të qytetit dhe periferisë së tij. E pra sot Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi falë këtij investimi të siguruar nga qeveria zvicerane dhe banka gjermane. Sheshi administrativ nga një parking ndotës është kthyer në një shëtitore që zien çdo mbrëmje nga zërat e fëmijëve, bisedat e grave, xhirot e qytetarëve, e vizitorëve dhe turistëve që shumë shpejt do të bëhet vendi i takimit të artistëve, teatër kulture apo vend i panaireve të biznesit etj. Ndaj duke qenë të vetëdijshëm se ne nuk kemi bërë çdo gjë që kanë nevojë qytetarët, nuk i kemi realizuar të gjitha pritshmëritë e tyre, por me modelet që kemi krijuar, investimet që kemi realizuar dhe shërbimet që kemi përmirësuar kemi të drejtën t’i kërkojmë votëbesimin banorëve të bashkisë së madhe të Lezhës sepse besojmë se jemi drejtimi i duhur për të vazhduar rrugën e transformimit të bashkisë së madhe për të transferuar këto modele zhvillimi në çdo lagje dhe në fshat të njësive të reje”, – theksoi kandidati pë Bashkinë e Lezhës. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





