Transmetuar më 15-06-2015, 19:16

Banka Botërore thotë se lëvrimi i kredisë 1.2 miliardë dollarë që akordoi për Shqipërinë është i lidhur me ecurinë e reformave dhe realizimin e investimeve në terren.

Tahseen Sayed, Drejtore e BB për Shqipërinë, thotë se reformat mund të konsiderohen veprime të domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ajo shton se disa gjëra për të cilat është rënë dakord me qeverinë, janë futur në proces realizimi. “Ne ramë dakord që qeveria të shlyente borxhet e prapambetura ndaj biznesit dhe kjo u realizua. Ramë dakord për reformën e pensioneve dhe ajo nisi. Kjo ishte marrëveshja që mundësoi akordimin e një pjese të financimeve”, – thotë Sayed.

Për pjesën tjetër që lidhet me investimet, ka një tjetër kriter. “Ne do të shohim rezultatet, pra si ecën realizimi. Nëse projektet ecin sipas afateve, financimet disbursohen, nëse realizimi ecën ngadalë atëherë financimet ndalen”, thotë Tahseen Sayed, drejtore e BB për Shqipërinë. Qëllimi kryesor i marrëveshjes mes Bankës dhe Qeverisë është rimëkëmbja e ekonomisë. Por si do të përdoren financimet për të arritur këtë objektiv? Shuma e rënë dakord është 1.2 miliardë dollarë. Nga këto 450 milionë janë aprovuar për projekte që këtë vit.

Ndërkohë mbeten dhe 750 milionë dollarë të tjera, të cilat veç konsolidimit makro dhe atij financiar, do të shkojnë kryesisht për investime në infrastrukturë që mbështesin turizmin.

Sayed detajon: “Ne e shikojmë turizmin si një nga kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike në vijim. Paralelisht do të ketë investime në menaxhimin e tokës, dhe për herë edhe për aftësitë dhe punësimin e të rinjve”.

Banka Botërore shpreh bindjen se përfitimet e këtij programi për publikun dhe ekonominë do të jenë të larta. Njëkohësisht pranon që ka edhe rreziqe. “Rreziku më i madh është ai që lidhet me qëllimin kryesor të programit, rritjen ekonomike. Nëse situata në Eurozonë, në vendet fqinje do të jetë e pastabilizuar dhe sfiduese atëherë kjo do të përbënte një rrezik për objektivat e këtij programi dhe rritjen ekonomike të vendit”, shprehet Sayed.

Zbutja e këtyre rreziqeve, për Bankën Botërore është e lidhur me një kusht të vetëm themelor: Ruajtja e ritmit te reformave, veçanërisht në sektorin e energjisë, sepse ajo është kolona që do të mundësojë rritjen ekonomike në të ardhmen dhe zhvillimin e vendit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd