Transmetuar më 15-06-2015, 17:37

Ata janë brenda zonës sportive të stadiumit, kur befas një autobus që përshkonte rrugën pranë tyre me shpejtësi, merr një kthesë të fortë dhe shtyp grupin e atletëve që kishin ardhur nga Austria për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Europiane.

Ngjarja e ndodhur në kryeqytetin azer, Baku, është skandaloze, por pamjet e saj, nuk ishin bërë publike sepse askush nuk i kishte ato sekonda të tmerrshme në kamera.

Por një kamera sigurie kishte filmuar skenat e rënda që shihni më poshtë dhe një zyrtar policor në Baku të Azerbajxhanit ka shpërndarë videon e kamerës së sigurisë, ku shihet se si autobusi merr me vete duke shtypit atletët austriakë.

Menjëherë pas publikimit të kësaj videoje, ky punonjës policie u shkarkua nga puna.

Videoja e shpërndarë më pas është bllokuar dhe është larguar nga shumë ueb faqe në Azerbajxhan, por ajo është gjerësisht e pranishme nëpër lajme dhe në rrjetet sociale.

Tre 15 vjeçare, pjesëtare të ekipit të notit të sinkronizuar të Austrisë, janë plagosur rëndë në incidentin e 11 qershorit.

Njëra, Vanessa Sahinovic është në gjendje koma, pasi i është nënshtruar një operacioni në Vjenë. Ajo ka pësuar lëndime të mëdha në shtyllën kurrizore, gjë e cila mund ta lë paralitike.

Atletja tjetër, Luna Pajer, ka thyer bërrylin dhe është dërguar në shtëpi për shërim.

Ndërkaq, Verena Breit është dërguar në spital në Baku, për shkak të lëndimit të kofshës.

Në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Azerbajxhanit thuhet se hetimet kanë treguar se një zyrtar policor ka kryer “shkelje të rëndë” për shkak të shpërndarjes së videos tek shokët e tij dhe për këtë arsye është larguar nga puna.

Iohannis: Shkuarja e Pontas në Baku, gafë e politikës së jashtme

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis ka thënë se ai nuk e ka ditur që kryeministri Victor Ponta, do të marrë pjesë në Lojërat Evropiane në Baku, ku shumica e liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian i kanë bojkotuar, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Azerbajxhan.

Kryeministri Victor Ponta ka marrë pjesë në hapjen e këtyre lojërave më 12 qershor, së bashku me presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe atë turk Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti Iohannis e ka cilësuar pjesëmarrjen e Pontas në këtë ngjarje si “gafë e politikës së jashtme”.

Marrëdhëniet në mes të dy liderëve rumun janë të këqija për shkak se emri i Pontas është përfshirë në një aferë korruptive.

Presidenti Iohannis i ka kërkuar kryeministrit të jap dorëheqje por ai ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

Më 5 qershor, prokurorët në Rumani kanë thënë se kryeministri Victor Ponta dyshohet për larje parash, falsifikim, evazion fiskal dhe konflikt të interesit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd