
Tiranë, NOA.al- Dita e martë do të nisë me kthjellime në të gjithë vendin, por duke ju afruar mesditës do të ketë kalime vranësirash nëpër të gjithë territorin, më të dukshme në zonat veriore duke rrezikuar shira të përkohshëm. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira lokale në zonat veriore dhe juglindore duke lënë me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare pjesën tjetër të territorit. Gjatë natës pritet shtim i vranësirave në të gjithë vendin.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime të dukshme duke ruajtur të njëjtat vlera të tyre konstante. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 15 km/h dhe drejtim jugperëndimor duke sjellë dallgëzim 1 ballë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.
Europa
Europa veriore dhe verilindore do të dominohen nga vranësira dhe shira me intensitet të lartë. Në këto zona problematike do të jenë edhe stuhitë e forta të erës. Po ashtu me vranësira dhe shira të dendur do të jenë vendet e Balltikut sidomos gjatë pjesës së dytë të ditës. Ishujt britanike si edhe zona e Alpeve do të vijojnë të mbeten me kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe shirat do të jenë prezent gjatë gjithë ditës por në këto zona nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurtra me kthjellime. Përsa i përket gadishullit iberik, Europës qendore si edhe Europës juglindore sërish masat ajrore të qëndrueshme kontinentale do të kushtëzojnë mot të kthjellët./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





