


Mallakastër, 15 qershor 2015, NOA.al- “Mallkimi më i madh që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë popullit janë varfëria mjerimi dhe pasiguria ku e kanë zhytur vendin për të cilin do të marrin dhe ndëshkimin në 21 qershor”.
Ishin këto fjalët e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në një takim elektoral mbrëmjen e kaluar në Mallakastër.
Basha tha para mallakastriotëve se pasi Rama- Meta dhe gjithë makineria e tyre dështuan me turp për të trembur popullin me shantazhe, me sondazhe, me pazare, me zarfe, me përçarje, me intriga, me diversion, me dhunë, me kërcënime deri më gotën e ujit, tani kanë nisur me mallkime.
“Shikoni sa qesharak dhe i pashpresë është bërë! Pasi e ka parë se s’i i funksionojnë as premtimet se nuk i beson njeri, as kërcënimet se nuk kërcënon dot një popull ka filluar me mallkime, është bërë si ai qesharaku që thoshte, të zëntë sëmundja po s’më votove mua! O Edo sa poshtë ke rënë! Po pse, me mallkime do i marrësh votat e mallakastriotëve dhe shqiptareve?”, tha kryeopozitari.
Në vijim ai shtoi se në dy vite, qeverisja Rama- Meta nuk mbajti asnjë premtim për të cilin u votua.
Sipas tij drejtuesit e pushtetit bënë të kundërtën e premtimeve, duke rritur taksat, çmimin e energjisë, shtuan papunësinë dhe ua bënë më të vështirë jetën qytetarëve.
Varfëria që thelluan dhe mbollën në këtë vend, tha Basha, nuk është në shitje, por është në luftë me dyshen Rama- Meta dhe se dinjiteti që nëpërkëmbën nuk është në shitje, por është në luftë më ta.
Kryedemokrati shtoi më tej se asgjë nuk e shuan shpresën e qytetarëve dhe nuk mund t’i mposhtë ëndrrat e tyre.
“Në këto dy vite pllakosi një varfëri edhe më e madhe, u shtua papunësia, u rrit kostoja e jetesës u rritën çmimet, u rritën taksat dhe njerëzit u zhytën në varfëri e në dëshpërim të thellë por dyshja Rama-Meta nuk i ka prioritet këto halle. Këto dy vite nuk bëri asgjë për t’ju ndihmuar. Përkundrazi, ju a bëri edhe më të vështirë jetën, ndaj jemi mbledhur këtu, për të ndalur këtë të keqe, për t’i thënë stop kësaj mënxyre dhe do i themi me votë”, u shpreh më tej lideri i opozitës./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





