
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha bëri thirrje sonte nga Gjirokastra që të ndalet ajo që ai e quajti, përpjekja dëshpëruese e të majtëve për të marrë nën kontroll edhe pushtetin vendor.
Kreu i PD-së, kërkoi votën për Igli Kokalarin, në takimin përmbyllës në Gjirokastër. Shefi i opozitës përsëriti platformën e demokratëve për rritje të punësimit, ulje të taksave, e rritje rrogash.
Kjo platformë, shprehu besimin ai, do të marrë votën edhe të socialistëve të ndershëm, që janë duke vuajtur po njësoj nga ajo që Basha e quajti oligarkia Rama-Meta.
Përmes votës për kandidatin demokrat në këtë bashki, do të ndalet pushtimi edhe i qeverisjes vendore nga Rama-Meta. “Atyre nuk i interesojnë hallet dhe problemet tuaja, sepse nuk i interesojnë zgjidhjet për hallet dhe problemet tuaja. Filozofia tjetër është e tyre, tjetër mendësi kanë ata kap çfarë të kapësh. Kjo është filozofia e babëzisë, mendësia e babëzisë. Të gjithë pushtetin për vete, të gjitha fondet për vete, të gjitha paratë për vete dhe të gjithë hashashin për vete. Kjo është mendësia e Edi Ramës dhe Ilir Metës”, tha Basha.
Kreu i opozitës, nga sheshi qendror i Gjirokastrës, tha se situata sot e shqiptarëve është e rënduar. “Shqiptarët paguajnë taksa më të larta, fatura më të larta energjie, por ku shkojnë paratë? Vidhen dhe shpërdorohen. 150 milionë dollarë që nuk do të kthehen sepse i ka zhdukur oligarkia”, tha kreu i opozitës.
Në këtë kuadër, premtimet për ndryshimin e situatës ishin të shumta dhe në fund edhe një angazhim i fortë: “Unë zotohem para jush që vota e 21 qershorit do të jetë një përgjegjësi e madhe. Edhe për mua, Lulzim Bashën, këto halle kërkojnë zgjidhje dhe me votën tuaj zgjidhje do t’i japim. Vota juaj është e shenjtë. Askush nuk do të guxojë t’i prekë ato”, tha Basha. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





